Kryeministri italian: Italia do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën

Draghi u kujtoi ligjvënësve se qeveria tashmë ka marrë një mandat për të ndihmuar Ukrainën t’i rezistojë luftës ruse të nisur në muajin shkurt, përmes një rezolute që gjithashtu përfshin dhënien e ndihmës ushtarake

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, në fjalën e tij në parlament para takimit të kësaj jave të Këshillit Evropian, ka deklaruar se qeveria e tij synon të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën, raporton Anadolu Agency (AA).

Në adresimin e tij në Senatin e Italisë, kryeministri Draghi u kujtoi ligjvënësve se qeveria tashmë ka marrë një mandat për të ndihmuar Ukrainën t’i rezistojë luftës ruse të nisur në muajin shkurt, përmes një rezolute që gjithashtu përfshin dhënien e ndihmës ushtarake.

Më vonë gjatë ditës, senati italian miratoi rezolutën e mbështetur nga shumica që konfirmon mbështetjen ndaj pozicionit të qeverisë për luftën në Ukrainë, respektivisht me 219 vota pro dhe 20 kundër.

Javëve të fundit, disa parti në koalicionin qeverisës kanë kritikuar strategjinë e furnizimit me armë në Kiev, duke kërkuar një angazhim më aktiv të qeverisë italiane për arritjen e marrëveshjes së paqes.

Kryeministri italian theksoi se katër muaj pas fillimit të konfliktit “mizoritë e reja kundër civilëve vazhdojnë të dalin në dritë”, duke u zotuar se “përgjegjësitë do të vendosen dhe krimet do të ndëshkohen”.

Megjithatë, kabineti i kryesuar nga Draghi akoma po përballet me turbulenca të brendshme, pasi partia e koalicionit ‘Pesë Yjet’ rrezikon një ndarje për një grindje midis ish-kreut të partisë dhe aktualisht ministrit të jashtëm, Luigi Di Maio dhe ish-kryeministrit Giuseppe Conte, i cili aktualisht drejton partinë.

Akoma mbetet e paqartë nëse një ndarje partiake do të kishte pasoja edhe për stabilitetin e qeverisë, por Di Maio pritet të mbajë postin e tij ministror, ndërkohë që do të formojë një grup të ri parlamentar me disidentët e tjerë të partisë ‘Pesë Yjet’.

Javën e kaluar, Draghi realizoi një vizitë historike në Kiev me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin rumun, Klaus Iohannis. Katër krerët evropianë njoftuan mbështetjen e tyre për dhënien e statusit të kandidatit për në Bashkimin Evropian (BE) Ukrainës.

Kategoritë
BotaLajme