Kryeministri izraelit kërkon të shkurtojë paraqitjet e tij në gjykatë në gjyqin për korrupsion

Netanyahu do të dëshmojë para Gjykatës së Rrethit në Tel Aviv të martën për të mbrojtur veten kundër akuzave për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar gjykatës sot që të zvogëlojë kohën e dëshmisë së tij në gjyqin e tij për akuzat për korrupsion, transmeton Anadolu.

Netanyahu do të dëshmojë para Gjykatës së Rrethit në Tel Aviv të martën për të mbrojtur veten kundër akuzave për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.

Sipas Kanalit 12 izraelit, kryeministri izraelit i ka kërkuar gjykatës të paraqitet vetëm dy herë në javë në vend se tri herë.

Ai gjithashtu i ka kërkuar që seancat e tij gjyqësore të fillojnë në orën 10:00 në vend të orës 9:00 dhe të përfundojnë në orën 15:00.

Ekipi mbrojtës i Netanyahu ka përmendur si arsye orarin e ngjeshur të kryeministrit për kërkesën për të zvogëluar kohën e dëshmisë së tij.

“Ai punon pothuajse çdo ditë deri në orët e vona të natës, qoftë për shkak të mbledhjeve të kabinetit, konsultimeve të sigurisë, apo nevojës për të komunikuar me subjekte të ndryshme jashtë vendit”, ka thënë ata.

Gjykata ende nuk ka vendosur për kërkesën e Netanyahut.

Sipas medias izraelite, gjyqtarët e gjykatës kishin miratuar tashmë kërkesën e Netanyahut për zhvendosjen e gjyqit të tij nga Kudsi në Tel Aviv për arsye sigurie.

“Seancat do të mbahen në një sallë të fshehtë nëntokësore të gjyqit”, tha Kanali 12.

Netanyahu fillimisht ishte planifikuar të dilte në gjykatë më 2 dhjetor, por gjykata miratoi kërkesën e tij për shtyrjen e paraqitjes deri të martën për shkak të orarit të ngjeshur.

Gjykata hodhi poshtë kërkesat e mediave izraelite për të transmetuar drejtpërdrejt dëshminë e Netanyahut.

Në fund të nëntorit 2019, Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm Avichai Mandelblit njoftoi vendimin e tij për të ngritur një padi zyrtare kundër Netanyahut, duke e akuzuar atë për tri raste korrupsioni.

Gjyqi i Netanyahut filloi në vitin 2020 në Gjykatën e Rrethit të Kudsit. Megjithatë, ai vazhdon të mohojë çdo keqbërje.

Kategoritë
BotaLajme