Kryeministri izraelit: Lufta në Ukrainë do të zgjasë “për një kohë”

“Marrëdhëniet tona me Rusinë janë shumë komplekse, por ne bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar ukrainasit dhe për t’i dhënë fund këtij konflikti”, tha Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, beson se lufta Ukrainë-Rusi do të zgjasë “për një kohë” para se të dyja palët të vendosin të kërkojnë ndërmjetësim, por ka përsëritur gatishmërinë e tij për të ndihmuar në ndalimin e “masakrës”, transmeton Anadolu.

Në një intervistë me të përditshmen italiane ‘La Repubblica’ para një vizite tre-ditore në Romë, Netanyahu shpjegoi qëndrimin e ekuilibruar të vendit të tij midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Izraeli është i vetmi vend pilotët e të cilit fluturojnë mbi Lartësinë e Golanit në një distancë shumë të shkurtër nga avionë rusë në Siri, sepse ne duhet të parandalojmë ndihmën ushtarake iraniane për Hezbollahun”, tha ai.

Kryeministri izraelit theksoi se janë “të interesuar në mënyrë të qartë” në shmangien e një konfrontimi me Rusinë.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë janë shumë komplekse, por ne bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar ukrainasit dhe për t’i dhënë fund këtij konflikti”, tha Netanyahu.

Kryeministri izraelit, i cili do të takohet me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, pritet të diskutojë marrëveshjet e mundshme për energjinë dhe gazin natyror, si dhe për rrezikun e energjisë bërthamore në Iran.

“Do të doja të shoh më shumë bashkëpunim ekonomik. Besoj se një marrëdhënie më e ngushtë me kompanitë tuaja do të ishte pozitive për të dyja palët. Dhe, ne kemi gaz natyror, kemi shumë dhe do të doja të bisedoj si ta sjellim atë në Itali për të mbështetur rritjen e saj ekonomike”, tha Netanyahu.

Ai tha se do t’i kërkojë kryeministres Meloni të njohë Kudsin si kryeqytet të Izraelit.

“Besoj se ka ardhur koha që Roma ta njohë Kudsin se ka qenë kryeqyteti stërgjyshor i popullit hebre për 3 mijë vjet. Siç ka bërë SHBA-ja në një gjest të miqësisë së shkëlqyer”, tha Netanyahu.

Kryeministri izraelit po ashtu iu përgjigj pyetjeve në lidhje me protestat me të cilat është përballur në vendin e tij gjatë nëntë javëve të fundit kundër reformës së tij të planifikuar në drejtësi, që akuzohet për rrezikimin e sistemit demokratik.

“Unë them se protestat tregojnë se sa solide është demokracia jonë”, u shpreh ai.

Kategoritë
BotaLajme