Kryeministri Kuri flet për arrestimin e drejtorit të KEK-ut

“Unë nuk kam dyshim, që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër”, tha Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se me urdhër të Prokurorisë është arrestuar dje nga Policia kryeshefi i Koorporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, raporton Anadolu.

Kurti në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se Krasniqi tani është në ndalje për 48 orë dhe “kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë e shpresojmë, që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri”.

Ai tha se edhe më herët ka pasur shumë kryeshefa në KEK dhe ka pasur keqpërdorime marramendëse mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht Prokuroria, por, sipas tij “Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro”.

“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë”, theksoi Kurti.

Kryeministri Kurti përmendi edhe me emër prokurorin i cili sipas tij lidhet me rastin e Nagip Krasniqit, për shkak se sipas Kurtit prokurori në fjalë “dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit”.

“Kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e Prokurorit Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një Prokuror, i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike, që rastin e vrasjes së ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të Informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Dhe njëkohësisht, bëhet fjalë për një Prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në Gjykatë”, theksoi Kurti.

Kurti e quajti “siklet të madh” kur një prokuror i tillë dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër tre krerëve shtetërorë “përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të”.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës dje arrestoi kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe “konflikt interesi”.

Kategoritë
LajmeVendi