Kryeministri Kurti bëri homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, dhe përfaqësues të tjerë institucional të nivelit qendror e lokal, bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh në varrezat në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.

Pas homazheve, kryeministri Kurti tha se ne i kujtojmë e i përkujtojmë ata të cilët dhanë jetën e tyre, luftuan heroikisht për çlirimin e Kosovës, për lirinë, për pavarësinë e për bashkimin tonë, dhe shtoi: “Andaj edhe këtu në Krushë në vendlindjen e bacës Ukë, të profesorit Ukshin Hoti, të cilit i kemi aq shumë borxh, për shkak se gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe përpjekjen tonë politike, që të jetojmë me dinjitet në trojet tona dhe me shtetin i cili na shërben të gjithëve si Republikë”.

“Këtu përkulemi me shumë mall, dhembje e pikëllim, po në të njëjtën kohë edhe me shumë dashuri, krenari e admirim, që i patëm këta burra e gra në krye me Ukshin Hotin, dhe e arritëm çlirimin e vendit. Njëkohësisht e kemi edhe udhërrëfimin se si të ecim përpara pa u ndalur pikërisht për shkak të veprës së tyre, për shkak të jetës së tyre, për shkak të rënies së tyre me flijim e me sakrificë”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, tha ai se, sot si institucione të Republikës, të shtetit, me përgjegjësi, dhe si qytetar të Republikës e të shtetit me vetëdije, ne bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshme të fëmijëve që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje e humbje të cilën e kaluam ne, po në të njëjtën kohë edhe të kenë të ardhme të ndritshme me një Kosovë, me një rajon, me një Evropë e cila është e lirë, e bashkuar dhe e mbrojtur nga çfarëdo agresioni.

“Nga Krusha e Madhe, ku kemi aq shumë varre e nuk e kemi Ukshin Hotin ende, erdhëm në Krushë të Vogël, në këtë vend që është një dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë, meqenëse këtu para 24 vjetëve forcat policore e ushtarake të Serbisë, rrethuan fshatin dhe u përpoqën të shfarosin gjithë shqiptarët, duke i vrarë jo vetëm gjithë burrat po edhe fëmijë dhe kjo ishte përpjekje e tyre që në vendin tonë të mos ngelen njerëzit tanë, pjesë e operacionit të tyre “Patkoi” që e kishte gjenocidin për kryefjalë të projektit serbomadh”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti tha se me pikëllim e dhembje kujtojmë humbjen dhe vuajtjet, ndërsa theksoi se në të njëjtën kohë edhe me krenari dhe përgjegjësi do t’i mbajmë lart në prioritetet e Qeverisë tonë e të institucioneve tona, për drejtësi e për rehabilitim.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi