Kryeministri Kurti i pranishëm gjatë mbjelljeve vjeshtore në Miresh

Pas vendosjes së gur themelit të çerdhes në fshatin Miresh të Komunës së Gjilanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i  Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vizitoi dhe takoi bujkun Osman Osmani gjatë mbjelljeve vjeshtore.

Osman Osmani ka të mbjella 10 hektarë grurë dhe 10 misër. Krahasuar me vitin 2021 përkrahja qeveritare për mbjelljen e grurit është rritur për 216% për hektar, kurse për atë të misrit 119% për hektar. Ai u shpreh i kënaqur me përkrahjen institucionale dhe me thjeshtësinë e procedurave për aplikim për mbështetje.

Politikat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe mbështetja e Qeverisë është reflektuar në rritjen e sipërfaqeve të mbjella dhe në rendimentin për hektarë, tha kryeministri Kurti, teksa falënderoi të gjithë bujqit e fermerët, që me punën e tyre po punojnë gjithnjë e më shumë tokë të Kosovës dhe po nxjerrin gjithnjë e më shumë bukë për Kosovën.

Në vitin 2022 është rritur për 15.5% sipërfaqja e mbjellë me grurë dhe për 91% ajo me misër.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, duke folur për politikat dhe veprimet e deritanishme të Qeverisë në mbështetje të bujqve dhe fermerëve, shprehu besimin e tij se deri në fund të mandatit do të kujdesen që mos të lënë tokë të punueshme në Kosovë pa e punuar.

Deklarimi i e plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Sipërfaqja grurë për hektarë ka rritje sivjet krahasuar me vjet për 15.5 për qind, ndërkaq për misër mbi 90 për qind.

Në anën tjetër edhe rendimenti është rrit për grurë, rendimenti për hektar, por është rritë edhe për misër shumë e këtë e ka ndihmuar edhe rritja e përkrahjes qeveritare të ministrit Faton Peci, me politikat e mira dhe mbështetjen për bujqit. Edhe për grurë, ku krahasuar me vitin e kaluar, sivjet kemi rritje të mbështetjes për grurë 216 për qind për hektar, dhe gjithashtu për misër e kemi 119 për qind. Pra, për grurë është më shumë se trefish e për misër është më shumë se dyfish. Dhe kjo është reflektuar edhe në sipërfaqet që mbjellin, por gjithashtu edhe në rendimentin për hektar që nxjerrët në fund.

Andaj unë i falënderoj të gjithë bujqit, fermerët tanë që me punën e tyre po punojnë gjithnjë e më shumë tokë të Kosovës dhe po nxjerrin gjithnjë e më shumë bukë për Kosovën dhe e falënderoj edhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Faton Pecin, i cili edhe është pranë bujqve, por në anën tjetër edhe i përpilon politikat të cilët e ndihmojnë bujkun tonë edhe si punëtor edhe si prodhues.

Bashkë me neve është edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni dhe besoj se kjo është formula e suksesit, pra kur institucionet e shtetit bashkëpunojnë dhe ndihmojnë afër, ngushtë dhe gjithnjë e më shumë ata të cilët i kontribuojnë ekonomisë së vendit edhe mirëqenies së popullit.

Kategoritë
LajmeVendi