Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në manifestimin përkujtimor për dëshmorët dhe martirët e betejës së Rakocit, duke kujtuar edhe Nebih Livorekën, një burrë 105-vjeçar i vrarë nga forcat serbe në prill 1999, raporton Ekonomia Online.
“Nga viti i kaluar kur isha për homazhe këtu te ju në Kaçanik, më ka ngelur në mendje fakti që mes civilëve të vrarë më prill 1999, ishte edhe Nebih Livoreka, një burrë i lindur më 10 maj 1894, që kur u vra ishte veçse një muaj pa u bërë 105 vjeç. Pra ky njeri, Nebih Livoreka, që edhe Luftën e Parë Ballkanike, edhe Luftën e Parë Botërore, e Luftën e Dytë Botërore, i kishte përjetuar, e kishte shpëtuar e u kishte mbijetuar, të tre atyre luftërave që janë më të përgjakshme jo vetëm për Ballkanin, por për tërë botën, ishte vrarë nga forcat serbe këtu në Kaçanik, më 9 prill 1999”, tha kryeministri në fjalën e tij.
Kurti theksoi se krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë ishin të planifikuara dhe kishin qëllime hegjemoniste, duke e quajtur regjimin serb një shtet kriminal.
“Me përgjegjësinë më të lartë, si institucionale ashtu edhe kombëtare, duhet të vazhdojmë me përkushtim trajtimin e krimeve të luftës, me drejtësi e para historisë. Të angazhohemi për paqe sot, për një jetë më të mirë për brezat e rinj, për më të vegjlit dhe për ata të cilët do ta trashëgojnë të ardhmen tonë. Teksa punojmë për t’u përballur me të kaluarën, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm institucionalë. Për herë të parë pas përfundimit të luftës, është miratuar Strategjinë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale dhe ka filluar Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i rifunksionalizuar dhe i ngritur edhe me kapacitete edhe me kuadro. Si shtet dhe si shoqëri, po ecim përpara drejt me vendosmëri, të bashkuar në përkushtimin tonë për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë”, u shpreh ai.
Ai bëri thirrje për drejtësi dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për trajtimin e krimeve të luftës dhe forcimin e shtetit të Kosovës. “Përballë gjenocidit, përgjigja është drejtësia,” tha ai.