Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët e masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë

“Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë”, tha kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 40 të vrarët nga forcat serbe në lagjen Dardania të Pejës duke bërë homazhe te pllaka përkujtimore e masakrës së 27 marsit 1999 në Pejë, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se “drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjate dhe për siguri për të gjithë, e për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale”.

“Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, ndërkaq Prokuroria e Kosovës, Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë, në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen, të nxirren para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat”, tha Kurti.

Tutje kryeministri kosovar tha se dihet që viktima nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit, por edhe familjet e tyre, farefisi i tyre dhe mbarë shoqëria kosovare.

Bashkë me Kryeministrin, homazhe bënë edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila dhe Fatmire Kollçaku.

Kategoritë
LajmeVendi