Kryeministri Kurti reagon për mospjesëmarrjen në zgjedhje lokale të Listës Serbe

Kurti në një reagim në rrjetet sociale tha se me mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 23 prillit, “si shkak i kontrollit të kësaj partie nga Beogradi zyrtar” është shkelur Marrëveshja Themelore Kosovë-Serbi e arritur në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) që të dënojë sjelljen e Beogradit në kontrollimin e partisë serbe në Kosovë, Lista Serbe, dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës, transmeton Anadolu.

Kurti në një reagim në rrjetet sociale tha se me mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 23 prillit është shkelur Marrëveshja Themelore Kosovë-Serbi e arritur në Bruksel.

“Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në 4 komunat veriore të Kosovës këtë prill. Kjo është një shenjë e qartë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjet e pandërprera në punët e brendshme të Kosovës. Bashkimi Evropian duhet të dënojë këtë shkelje të shpejtë të Marrëveshjes Themelore”, shkroi Kurti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, ka thënë të mërkurën se asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës të planifikuara të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetorin e vitit 2022 me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Periudha e aplikimit për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq ka qenë e hapur për subjektet politike nga 9 marsi deri më 22 mars dhe KQZ deklaroi se nuk ka pranuar asnjë aplikim nga ndonjë subjekt politik, në përjashtim të subjekteve politike dhe kandidatëve të cilët kanë konfirmuar certifikimin që e kanë bërë në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022.

Partia Lista Serbe, ka konfirmuar më 20 mars mospjesëmarrjen në zgjedhje lokale deri sa të përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Zyrtarët e kësaj partie dhanë dorëheqje nga institucionet qendrore dhe nga ato lokale, gjykata, prokuroria dhe policia nga nëntori i vitit të kaluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e targave të automjeteve.

Kategoritë
LajmeVendi