Kryeministri Kurti takoi ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Anušić

Krahas marrëdhënieve bilaterale, bashkërendimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit të deritanishëm në fushën e mbrojtjes, palët diskutuan rreth mundësive të reja për bashkëpunim në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Në ditën e dytë të pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë zhvilluar një takim me ministrin kroat të Mbrojtjes, Ivan Anušić.

Siç njofton Zyra e Kryeminsitrit, krahas marrëdhënieve bilaterale, bashkërendimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit të deritanishëm në fushën e mbrojtjes, palët diskutuan rreth mundësive të reja për bashkëpunim në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Kryeministri Kurti falënderoi shtetin kroat dhe ministrin Anušić për raportet e shkëlqyera dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

Ai u shpreh se me Kroacinë ndajnë vlerat dhe këndvështrimin e njëjtë mbi situatën gjeopolitike dhe pajtohen për historinë dhe se Kosova dhe Kroacia janë vende mike, partnere dhe aleate.

Kryeministri kosovar gjithashtu e falënderoi ministrin kroat për marrëveshjen në mes dy ministrive të mbrojtjes për trajnimin dhe edukimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake “Dr. Franjo Tuđman”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi