Kryeministri Kurti takoi përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, gjatë takimit u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar me Serbinë, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

“U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, njofton Zyra e Kryeministrit.

U bë e ditur gjithashtu se kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi falënderuan Lajçakun për angazhimin e tij të vazhdueshëm në procesin e dialogut.

Përfaqësuesi i BE-së Lajçak qëndroi në Kosovë javën e kaluar me këshilltarin e lartë të presidentit francez Emanuel Macron dhe me atë të kancelarit gjerman Olaf Scholz. Pas qëndrimit në Kosovë, Lajçak zhvilloi vizitë zyrtare edhe në Serbi.

Takimi i fundit në nivel të lartë në dialogun Kosovë-Serbi u mbajt më 18 gusht në Bruksel. U tha se do të ketë takime të rregullta në baza mujore, ndërsa ende nuk ka datë për ndonjë takim të mundshëm në muajin shtator.

Kategoritë
LajmeVendi