Kurti tha se “është absurde që presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti uroi Sorensenin për pozitën dhe përgjegjësitë e reja, teksa veçoi progresin e Kosovës në katër vitet e fundit, me theks te rritja ekonomike, sundimi i ligjit lufta kundër korrupsionit dhe progresi demokratik.
Kurti gjatë takimit me Sorensenin, duke folur për raportin e Kosovës me Serbinë, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj.
Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja.
“Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë prej 160 faqesh nga Prokuroria e Republikës së Kosovës”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se “është absurde që presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin”.
Pasuesi i Miroslav Lajçakut, Sorensen, e mori detyrën nga 1 shkurti 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh.