Kryeministri spanjoll: Lufta “e padrejtë” në Ukrainë nuk mund të përfundojë me një marrëveshje “të padrejtë”

“Evropa do të vazhdojë të mbështesë aspiratën e Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ka thënë Pedro Sanchez

Pas kontakteve të fundit midis SHBA-së dhe Rusisë, kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez tha se lufta “e padrejtë” në Ukrainë nuk mund të përfundojë me një marrëveshje paqeje “të padrejtë”, transmeton Anadolu.

Duke vënë në dukje se ka folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Sanchez tha në X: “Unë kam përcjellë mbështetjen time të plotë në mbrojtjen e sovranitetit të vendit të tij kundër agresionit të paligjshëm, të padrejtë dhe të pajustifikuar të Rusisë”.

“Ukraina mund të vazhdojë të llogarisë te Spanja”, tha Sanchez, duke nënvizuar se “Evropa do të vazhdojë të mbështesë aspiratën e Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

“Ukraina do paqe dhe Evropa do paqe. Megjithatë, një luftë e padrejtë nuk mund të përfundojë me një marrëveshje të padrejtë paqeje”, tha ai.

Komentet e Sanchezit erdhën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump nisi bisedime të drejtpërdrejta me homologun e tij rus Vladimir Putin, me të cilin ranë dakord të fillonin “menjëherë” negociatat e paqes.

Kategoritë
BotaLajme