Kryeministri spanjoll mbi planin e Trumpit për Gazën: Është imoral dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

“Gaza i përket palestinezëve dhe është pjesë e Shtetit të ardhshëm të Palestinës”, tha Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, duke reaguar edhe një herë hapur lidhur me planin e presidentit amerikan Trump.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, e ka përshkruar planin e presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga Gaza si “imoral”, raporton Anadolu.

Sanchez foli në një konferencë të përbashkët për shtyp në rezidencën e kryeministrisë, Moncloa, në kryeqytetin Madrid, pas takimit të tij me presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Spanjë.

“Kjo është e imorale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Gaza i përket palestinezëve dhe është pjesë e Shtetit të ardhshëm të Palestinës”, tha Sanchez, duke reaguar edhe një herë hapur lidhur me planin e presidentit amerikan Trump.

Sipas tij çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët do të kishte një “efekt destabilizues rajonal dhe global”.

Kryeministri spanjoll tha se “udhëheqja e vendeve arabe duhet të jetë themelore në Gaza”.

Presidenti egjiptian Sisi tha gjithashtu se ata janë kundër zhvendosjes së detyruar të banorëve të Gazës.

Kategoritë
BotaLajme