Kryeministrja e Serbisë mbërrin në Kosovë për të takuar serbët në veri

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, vizitën do të fillojë në Mitrovicën e Veriut, ku do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës dhe Akademinë Shpirtërore.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka mbërritur për një vizitë njëditore në Kosovë dhe me këtë rast do të vizitojë komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicën e Veriut, Zveçanin dhe Leposaviçin, raporton Anadolu Agency (AA).

Së bashku me kryeministren e Serbisë, në Kosovë do të jenë drejtori i së ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç dhe drejtori i Zyrës për IT, Mihailo Jovanoviç.

Kryeministrja serbe vizitën do të fillojë në Mitrovicën e Veriut, ku do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës dhe Akademinë Shpirtërore. Pas kësaj është planifikuar një vizitë në manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit.

“Në komunën e Leposaviçit, Brnabiq pasdite do të vizitojë familjen me probleme sociale të vëllezërve Radosavljeviç, të cilët zyrtarisht do të zhvendosen në shtëpinë e re, të ndërtuar me mjetet e Qeverisë së Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e ashtuquajturës zyrë për Kosovën.

Vizita e kryeministres së Serbisë në Kosovë është paralajmëruar të enjten, më 1 shtator, 72 orë para vizitës, në përputhje me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare. Qeveria e Kosovës miratoi vizitën.

Vizita e saj vjen pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, pas së cilave me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së u arrit marrëveshja për kartat e identitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i së cilës filloi më 1 shtator. Në të njëjtën ditë ka filluar periudha dymujore për riregjistrimin e targave të Serbisë me shënime të qyteteve të Kosovës në targa RKS. Ende nuk ka marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit për targat.

Kategoritë
LajmeVendi