Kryeministrja serbe pret që takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel të jetë konstruktiv

Brnabiq tha se përparësitë kryesore të Serbisë janë ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe investimi i përpjekjeve shtesë me synimin e zhvillimit të marrëdhënieve rajonale në të gjitha fushat

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar se pret që takimet e kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, javën e ardhshme në Bruksel të jenë konstruktive, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e kryeministres serbe erdhën pas takimit me ambasadorin e SHBA-së, Christopher Hill, në kryeqytetin Beograd.

Kurti dhe Vuçiq pranuan ftesën e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, për të zhvilluar takimin të enjten e ardhshme.

Brnabiq tha se përparësitë kryesore të Serbisë janë ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe investimi i përpjekjeve shtesë me synimin e zhvillimit të marrëdhënieve rajonale në të gjitha fushat.

Ajo shtoi se palët kanë potencial të madh për bashkëpunim në sektorin e energjisë përmes iniciativës “Ballkani i Hapur”, i cili sipas saj, është dëshmuar se është një kornizë efikase për zgjidhjen e problemeve.

Palët thanë se ka potencial të madh për bashkëpunim në sektorin e energjisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për projektet që kanë të bëjnë me burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Ambasadori Hill, nga ana e tij, theksoi se dialogu i vazhdueshëm është rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Më 18 gusht në Bruksel do të takohet udhëheqësit e dy vendeve me Borrell-in dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës u përshkallëzuan në fund të muajit korrik përpara zbatimit të planifikuar nga Kosova të një ligji të ri që e bën të detyrueshme për të gjithë, përfshirë serbët që jetojnë në Kosovë, të kenë letërnjoftime dhe targa kosovare.

Më vonë, Kosova njoftoi se ka vendosur të shtyjë masat e reja deri më 1 shtator.

Dialogu Beograd-Prishtinë, i nisur në vitin 2011 dhe i udhëhequr nga BE-ja, synon të normalizojë marrëdhëniet midis dy vendeve ballkanike dhe të gjejë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për mosmarrëveshjet e tyre në kuadër të një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, me shumicën e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara (OKB), përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Türkiye-n, duke e njohur atë si vend autonom të ndarë nga fqinji i saj.

Serbia akoma pretendon se Kosova është territori i saj.

Kategoritë
LajmeVendi