Kryeparlamentari Konjufca priti në takim homologun austriak Sobotka

Konjufca ka thënë se Serbia nuk po e zbaton atë që po nënshkruan dhe se dëshiron që ta krijojë një “republikë serbe” brenda Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, raporton Anadolu.

Pas takimit të dy kryeparlamentarëve, Konjufca dhe Sobotka kanë mbajtur konferencë për media, ku pala kosovare vlerësoi rolin e Austrisë e cila “i qëndron Kosovës pranë në të gjitha fazat dhe sfidat që shteti i kalon në arenën ndërkombëtare”.

Konjufca në fjalën e tij, ka thënë se kryeparlamentarit Sobotka ia ka ngritur “shqetësimin kryetarit Sobotka për sjelljen e papranueshme të shtetit serb, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”.

Konjufca ka thënë se Serbia nuk po e zbaton atë që po nënshkruan dhe se dëshiron që ta krijojë një “republikë serbe” brenda Kosovës.

“Kosova me shumë vullnet të mirë e pranoi Marrëveshjen e Ohrit, por jemi dëshmitar se si Serbia e lexon krejtësisht në mënyrë të kundërt marrëveshjen që e ka pranuar, prej asaj se si e lexon Republika e Kosovës. Unë jam i bindur, ne kemi argumente shumë të fuqishme dhe është e shkruar e zeza në të bardhë që kjo marrëveshje përmban dy dimensione, është e ndërtuar në dy shtylla dhe shtylla e parë e kësaj marrëveshjeje është njohja ‘de facto’ e Serbisë për Kosovën”, theksoi Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka tha se Kosova e ka filluar integrimin evropian duke aplikuar për anëtarësim në BE gjatë vitit të kaluar. Ai tha se Kuvendi i Kosovës duhet të kontribuojë në reformat në vend përmes punës së tij në mbështetje të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sobotka theksoi se lufta në Ukrainë tregoi nevojën për të ndryshuar procesin integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se Marrëveshja e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të interpretohet njësoj nga të dyja palët dhe se Serbia nuk duhet ta pengojë Kosovën që t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare.

“Situata e tanishme në Kosovë dhe marrëdhëniet me Serbinë janë një prej sfidave që duhet të zgjidhen gjatë rrugës së dialogut dhe ne çdo herë do të përpiqemi që për të dyja shtetet të ofrojmë një mundësi që t’i afrohen një hap më tutje njëri-tjetrit. Edhe marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme dhe shpresojmë që të dy shtetet të bëjnë një interpretim të njëjtë të kësaj marrëveshjeje”, theksoi Sobotka.

Kryeparlamentari austriak tha se prosperiteti dhe shteti i së drejtës janë themelet e demokracisë, derisa theksoi se Austria aktualisht ka 11 projekte në Kosovë dhe se është investitori i katërt më i madh në Kosovë.

Sobotka do të pritet në takim gjatë ditës edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi