Kryeparlamentari Konjufca takon zv/ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Gabriel Escobar

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë

Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, është takuar me zv/ndihmës Sekretarin e SHBA-së, njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, transmeton Anadolu.

Siç njoftohet nga Kuvendi i Kosovës, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Konjufca ritheksoi qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës dhe Escobar theksuan rëndësinë e vazhdimit të punës për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe ShBA-së.

Ditë më parë, në një diskutim virtual me gazetarë, Escobar e quajti historike marrëveshjen e arritur më 18 mars në Ohër derisa shtoi se ajo “në të gjitha aspektet është ligjërisht e obligueshme”.

“Rruga evropiane (e të dyja vendeve) është jashtëzakonisht e kushtëzuar nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje”, kishte thënë Escobar.

Kategoritë
LajmeVendi