Kryetarët e rinj në Veri mund të betohen edhe jashtë objekteve zyrtare të komunave

Betimi i kryetarëve të rinj në katër komunat në Veri po konsiderohet si diçka që mund të realizohet me vështirësi. Njohësi i çështjeve juridike Albert Krasniqi, thotë se Lulzim Hetemi, Izmir Zeqiri, Erden Atiq dhe Ilir Peci betimin mund ta kryejnë edhe jashtë objekteve të komunave

ë dielën qw shkoi, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë mbajtur zgjedhjet për kryetar. Pas numërimit të votave të pakta, në të katër komunat fitimtarë dolën kandidatët shqiptarë nga dy partitë politike PDK e VV.

Pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë disa faza deri në ushtrimin e mandatit. Njohësi i çështjeve juridike, Albert Krasniqi, në një bisedë me Gazetën Express ka treguar se cilat janë këto faza.

“Zgjedhjet janë veç faza e parë, ndërsa faza e dytë është konstituimi i institucioneve që rezultatet e zgjedhjeve të përkthehen në institucione, edhe këtu do të ketë vështirësi për betimin, konstituimin e kuvendeve komunale dhe pastaj zgjedhjen e drejtorëve të komunave. Faza e tretë është ushtrimi i mandatit, që kryetarët e rinj të ushtrojnë kompetencat e tyre, të bëjnë investime kapitale, të japin shërbime”, tha ai.

Për çështjen e betimit, Krasniqi tha se kjo procedurë nuk është e domosdoshme të kryhet brenda objekteve komunale.

“Është obligative që mandati i kryetarëve të komunave të nisë të ushtrohet që të bëhet betimi në kuvendet komunale. Por kjo nuk do të thotë se betimi duhet të bëhet gjithsesi në objekt të caktuar. Betimi mund të bëhet edhe jashtë objekteve aktuale të komunave”, ka thënë Krasniqi.

Për dhënien e betimit ka folur edhe kandidati i PDK-së që mori më së shumti vota në garën për komunën e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

“Një pjesë të zyreve komunale i kemi të instaluara në fshatin Çabër, ku janë disa zyre funksionale, dikastere komunale që janë në funksion. Ne nuk e kemi synim as prioritet menjëherë me i marrë objektet, por synimi jonë është që t’i themelojmë kabinetin dhe drejtoritë. Ne jemi të hapur të gjithë, edhe për serbët… Do të shohim, betimin mund ta bëjmë edhe në zyret komunale në Çabër. Besoj që kemi vende ku do të mbahet”, tha ai.

KQZ shpall rezultatet përfundimtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka mbajtur një mbledhje, ku ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit dhe për zgjedhjet për kuvende komunale në Zveçan dhe Leposaviq.

Këto rezultate i kumtoi kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Leposaviq: Lulzim Hetemi (VV) 73,3 për qind; Albulena Behluli- Hetemi 25 për qind; Aleksandar Jabllanoviq 1,5 për qind.

Zubin Potok: Izmir Zeqiri (PDK) 52,2 për qind; Flatron Hasani (VV) 47,7 për qind.

Zveçan: Ilir Peci (PDK) 59 për qind; Fetah Peci (VV) 37,3 për qind; Slagjana Pantoviq 3,6 për qind.

Mitrovicë e Veriut: Erden Atiq (VV) 66,9 për qind; Taulant Kelmendi (PDK) 23,4 për qind; Betim Osmani 9,7 për qind.

Ndërkaq, në kuvendin komunal të Leposaviqi, VV ka fituar 15 ulëse, PDK 2 ulëse dhe Partia Kosovskih Srba 2 ulëse.

11 ulëse PDK dhe VV 8 ulëse i kanë fituar në kuvendin komunal të Zveçanit.

Kujtojmë që zgjedhjet në Veri u mbajtën pasi Lista Serbe më 5 nëntor vendosi që të largohet nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në shenjë proteste ndaj vendimit për targat. Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në Veri, presidentja Osmani shpalli zgjedhjet për 18 dhjetor, të cilat më pas për shkak të tensioneve në Veri i shtyu për më 23 prill.

Në këto zgjedhje nuk ka marrë pjesë Lista Serbe, të cilët më pas edhe u ka bërë thirrje serbëve lokalë që t’i bojkotojnë zgjedhjet. Kjo ka ndikuar që dalja e qytetarëve të jetë e ulët, 3,47 për qind.

Kategoritë
LajmeVendi