Kryetari i Novi Sadit, Milan Xhuriç, sot njoftoi se jep dorëheqje të parevokueshme, duke deklaruar se ky vendim është një shprehje përgjegjësie në një moment kur shoqëria po kalon nëpër tensione të mëdha.
“Si një njeri dhe politikan i përgjegjshëm, jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Novi Sadit. Stabiliteti, qetësimi i tensioneve dhe ndalimi i ndarjeve të mëtejshme në shoqëri janë kushte kyçe për përparimin dhe zhvillimin e qytetit tonë,” tha Xhuriç gjatë një adresimi publik.
Ky vendim erdhi pas një sulmi të dhunshëm ndaj një studenteje në Novi Sad, e cila, sipas informacioneve të disponueshme, u sulmua nga disa burra me shkopinj bejsbolli, ndërsa studentët po vendosnin ngjitëse me thirrje për protestë. Sulmi është cilësuar si sjellje e dhunshme me shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, dhe Prokuroria kërkon identifikimin dhe ndjekjen urgjente të autorëve.
Kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviç, gjithashtu dha dorëheqje sot dhe konfirmoi se Xhuriç, së bashku me të, ka vendosur të mbajë “përgjegjësi objektive” për ngjarjet në Novi Sad.
“Dorëheqja nuk është shenjë dobësie, por një akt marrjeje përgjegjësie dhe hapje e hapësirës për të rikthyer besimin mes qytetarëve,” shtoi Xhuriç.
Studentët e Fakultetit Filozofik më herët njoftuan se një studente është plagosur rëndë dhe ndodhet për trajtim në Qendrën e Urgjencës. Sulmi ka shkaktuar reagime të ashpra në publik, dhe qytetarët janë thirrur për protestë të shtunën në Novi Sad.
Siç thekson Xhuriç, ai është krenar për arritjet e viteve të kaluara, duke përfshirë projektet infrastrukturore dhe rritjen e buxhetit të qytetit, por e konsideron të nevojshme dorëheqjen për të qetësuar tensionet dhe për të mundësuar një dialog konstruktiv për të ardhmen e Novi Sadit.