Kryetari i KQZ-së: Moscertifikimi i Listës Serbe s’ka bazë ligjore

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se moscertifikimi i Listës Serbe nga ky organ nuk ka bazë ligjore.

Radoniqi në një prononcim për Klankosova.tv tha se moscertifikimi nuk ka bazë ligjore, ndërsa sipas tij, certifikimi ka bazë ligjore pasi tha se aplikimi i Listës Serbe ka kaluar në filtrat e verifikimit të Zyrës për Certifikimin e Partive Politike.

“Jo nuk ka bazë ligjore moscertifikimi, bazë ligjore ka certifikimi. Aplikimi i ka kaluar filtrat e verifikimit të Zyrës për Certifikimin e Partive Politike dhe pas krejt verifikimeve ka konstatuar se është në rregull dhe ka rekomanduar certifikimin”, tha Radoniqi për Klankosova.tv.

Radoniqi tha se çështjet që janë ngritur dje në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për sa i përket Listës Serbe, janë çështje të organeve të drejtësisë dhe jo të KQZ-së.

Lista Serbe dje nuk u certifikua për të marrë pjesë në zgjedhje, ku pro certifikimit ishte veç Radoniqi, ndërsa kundër ishin dy anëtarët e VV-së, teksa anëtarët e partive të tjera nuk morën pjesë në votim.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi