Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar KQZ-në që thotë se sot mori vendimi që cenojnë të drejtat civile, duke iu referuar vendimit për zëvendësimin e ngjyrës së padukshme me ngjyrën matrikuluese, që thotë se është regres, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se qytetarët dhe partitë duhet ta kundërshtojnë këtë vendim të KQZ-së.
“Ngjyra matrikuluese besoj unë, cenon të drejtat e njeriut siç është privatësia dhe anonimiteti, pasi që me anë të kësaj ngjyre në gisht, do ti ekspozohemi një publiku të gjerë, dhe secili që na sheh do të dijë a kemi votuar a po jo. E drejta e votimit është e drejtë private, për të cilën s’ka arsye të dijë publiku i gjerë”, shkruan Kryeziu ndër të tjera.
Kosova ka arritur përparime të konsiderueshme në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Pse sot KQZ-ja duhet të marrë vendime të cilat potencialisht mund të cenojnë të drejtat civile. Vendimi i javës së kaluar nga KQZ-ja për zëvendësimin e ngjyrës së padukshme me ngjyrën matrikuluese është regres. Qytetarët dhe partitë politike duhet të kundërshtojnë këtë vendim të KQZ-së.
Ne siç kemi të drejtë të marrim pjesë në një proces zgjedhor, po ashtu e ruajmë dhe të drejtën të mos marrim pjesë në zgjedhje. Është e drejtë kushtetuese e garantuar. Këtë të drejtë se kemi pasur të cenueshme me ngjyrën e padukshme e cila mund të shihej vetëm me dritë ultraviolete, duke mbrojtur kështu privatësinë tonë si votues.