Kuçi deklarohet i pafajshëm: Sot është një prej momenteve më të errëta për mua si njeri i drejtësisë

Hajredin Kuçi është deklaruar sot i pafajshëm gjatë paraqitjes së tij të parë në Hagë, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon atë me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Madje, gjatë leximit të deklaratës së tij të pafajësisë, Kuçi tha se nuk ka tentuar të komunikojë me dëshmitarë as kur e ka pas mundësinë si pjesëtar i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit në gjykimin për krime lufte nga DhSK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve më të errëta për mua si njëri i drejtësisë që e kam profesion dhe mision tërë jetën dhe jam identifikuar me drejtësinë. Si profesor i drejtësisë për mbi 30 vite, si ish-anëtarë i Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës që Kushtetuta është ende në fuqi, si zëvendëskryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i Drejtësisë për dy mandate, si anëtarë i ekipit mbrojtës të kryetarit Veseli pran kësaj gjykate, këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim njerëzor, profesional dhe të reputacionit tim”, tha Kuçi.

Ai tha se drejtësinë si mision dhe profesion do ta vazhdojë edhe sot e tutje ashtu siç ka bërë deri më sot.

“Drejtësinë si mision dhe profesion do ta vazhdojë edhe nga sot, por në një pozitë tjetër por prapë në funksion të saj dhe atyre vlerave që jam identifikuar. Më vjen keq për shqetësimin që kjo akuzë i ka bërë anëtarëve të familjes sime, ju ka bërë studenteve dhe kolegëve të mi, ju ka bërë shokëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë iu them atyre edhe sot që unë jam i njëjti, ai që kam qenë para datës 6 dhjetor 2024”, tha ai.

Kuçi tha se nuk ka bërë asnjë vepër penale dhe ka besim të plotë që do të lirohet nga akuzat.“Nuk do ta zhgënjej askënd, as ju as drejtësinë. Me lejoni të jem i qartë, unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim ë plotë që do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin Hashim Thaçin. Me lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Gjatë tërë punës së bashku, ne kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj edhe kemi besuar në drejtësi. Unë si jurist kam përdorur sloganin ‘sundimi i ligjit me ligj’. Edhe sot besoj që kjo gjykatë po e bën dhe do ta bëjë njëjtën gjë. Punë ime është identifikuar në funksion të ndërtimit të drejtësisë, me respektimin e vendimeve gjyqësore, në besimin në drejtësi dhe jo në mosbindje ndaj urdhrave të gjykatës se çfarë thotë akuza.”, tha ai.

Veç tjerash, Kuçi përmendi edhe faktin që arsyeja se pse nuk ka dashur që të takohet me dëshmitarë në çështjen tjetër është që të mos fitohet perceptim i gabuar.

“Edhe në kohën sa isha në ekipin mbrojtës, edhe atëherë kur kam pas mundësi që përmes ligjit dhe protokollit të kësaj gjykate të takohem me dëshmitarët, këtë të drejtë nuk e kam shfrytëzuar asnjëherë dhe çka mund të vërtetohet. Nuk kam dashur që të fitohet perceptim për ndonjë keqkuptim eventual. Sikur e thash edhe në fillim, drejtësia për mua është mision edhe profesion, vazhdon edhe sot e kështu do të duket edhe në të ardhmen. Besoj që të gjithë në këtë sallë jemi në anën e drejtësisë që e kemi pikësynim arritjen e të vërtetës dhe rritjes së besimit në drejtësi për secilin në këtë sallë dhe jashtë saj”, tha ai.

“Zonja dhe Zotërinj, e nderuar gjyqtare, besimin në Zot dhe drejtësi nuk e luhate edhe kur sfidohem personalisht, edhe kur duket se ata janë në anën tjetër prej meje, ngase unë me bindje jam çdo herë në anën e tyre. Faleminderit për vëmendje!”, përfundoi deklaratën e tij Hajredin Kuçi.

Gjithashtu u parashtrua që gjuha e punës të jetë anglishtja për këtë çështje gjyqësore.

Ndërsa, konferenca për ecurinë e çështjes u diskutua që të jetë 17 dhjetori 2024, duke filluar nga ora 14:00.

Ndërsa, avokati i Hajredin Kuçit, Alexander Admiral tha se kjo datë është e pamundur që të jetë i pranishëm fizikisht. Ai shtoi nëse nuk ndryshohet data mund të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit në mënyrë online. Ndërsa, prokurori parashtroi se do të jenë ë gatshëm për këtë seancë dhe po ashtu edhe ata do të jenë të pranishëm fizikisht.

Vlen të theksohet se Kuçi tha se i kupton të gjitha pikat e akuzës për të cilat ngarkohet dhe ai u njoftua me të drejtat e tij në këtë proces gjyqësor. Megjithatë, në fillim ai tha që i kupton pjesërisht. Gjithashtu, Kuçi u njoftua për të drejtat e tij si i akuzuar në këtë rast gjyqësor.

Ndërkaq, prokurori Joshua Hafetz kërkoi nga gjyqtarja e procedurës paraprake që të vendos kushtet që duhet të përmbush z. Kuçi në pritje të gjykimit.

“Një prej akuzave për mosbindje të gjykatës lidhet drejtpërdrejtë me faktin që ai ka marrë detyrë nga z. Thaçi gjatë vizitës jo të privilegjuar më 3 shtator 2023 për të konstatuar dhe për t’i thënë të paktën 1 personi, me gjasë se më shumë se një, por të paktën një dëshmitari për t’i thënë si të dëshmonte në çështjen 6. Kjo është baza e akuzës për akuzën e mosbindjes. Ndërsa, kemi një mendim tjetër me numrin e njerëzve të përfshirë në këtë. Nga regjistrimi është e qartë se parashikohet që edhe një person tjetër do të ndihmonte në këtë gjë”, tha prokurori.

Ai tha se kërkesë e tyre është që Kuçi të mos lejohet të flas me bashkautorët ose edhe me personat e tjerë që përmenden në aktakuzë.

“Kërkesa jonë është që Kuçi të mos lejohet që të flas me bashkautorë të tjerë që emërtohen në këtë aktakuzë dhe persona të tjerë që pretendohet që janë përfshirë në orvatjen për të transmetuar udhëzimin e z. Thaçi”, tha prokurori.

Mbrojtja nuk pati asgjë për të thënë lidhur më këtë gjë, andaj, prokurori tha se parashtrimi për këtë gjë do të bëhet sot. Kurse, gjyqtarja tha se vendimi do të jepet në një moment të duhur.

Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK të premten më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë e cila pritet të mbahet të hënën me 9 nëntor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /BetimipërDrejtësi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi