Kuleba: Shumë vende ofruan ndërmjetësim, por Turqia ka qenë më e suksesshmja

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se ka vende që kanë ofruar ndërmjetësim midis vendit të tij dhe Rusisë, ndërsa shtoi se “Turqia ka qenë më e suksesshmja”.

Dmytro Kuleba mbajti një konferencë shtypi në Forumin Ekonomik Botëror (WEF), i njohur gjithashtu si Samiti i Davosit.

I pyetur nga korrespondenti i agjencisë së lajmeve “Anadolli” (AA) për procesin e ndërmjetësimit të Turqisë mes Ukrainës dhe Rusisë, Kuleba tha: “Turqia ishte një nga vendet që ofroi ndërmjetësim për arsye të ndryshme. Ajo ka qenë më e suksesshmja. Takimi i delegacioneve negociuese ruso-ukrainase në Stamboll ishte në thelb pika më e lartë në procesin e negociatave.”

Kuleba tha se procesi i negociatave dështoi pas takimit në Stamboll, ndërsa bëri të ditur se nuk e mban mend se kur është takuar për herë të fundit grupi i punës që ka zhvilluar negociatat mes dy vendeve.

Shefi i diplomacisë ukrainase bëri të ditur se Rusia vazhdimisht bën deklarata të tilla si “Ukraina nuk ka nevojë për diplomaci, ajo nuk dëshiron të flasë me ne”, ndërsa shtoi se: “Ky është një operacion mbulimi”.

Dmytro Kuleba reagoi gjithashtu ndaj nënshkrimit të një rezolute nga Presidenti rus Vladimir Putin që lehtëson dhënien e shtetësisë ruse për banorët e rajoneve Herson dhe Zaporizhia të Ukrainës.

“Nëse doni një negociatë me qëllime të mira, nuk do të bëni gjëra të tilla. Është kaq e thjeshtë”, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Bëhet e ditur se 238 fëmijë kanë humbur jetën në sulmet e Rusisë në Ukrainë.

Në një deklaratë të bërë nga Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës thuhet: “Deri në mëngjesin e 26 majit, 238 fëmijë kanë humbur jetën dhe 433 fëmijë janë plagosur në sulmet e Rusisë në Ukrainë”.

Në deklaratë gjithashtu theksohet se këto shifra nuk janë të dhënat e fundit dhe se studimet identifikuese në zonat e pushtuara dhe të çliruara përkohësisht po vazhdojnë.

Në mes tjerash thuhet se si pasojë e bombardimeve të shumë qyteteve në Ukrainë, krahas pikave ushtarake janë dëmtuar edhe shumë objekte publike dhe 173 nga 1.848 institucione arsimore të dëmtuara janë shkatërruar plotësisht.

Ndërkaq zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksandr Motuzyanyk tha: “Ne vërejmë se Rusia është në fazën më aktive të agresionit të saj në shkallë të gjerë kundër vendit tonë. Situata në frontin lindor të Ukrainës është jashtëzakonisht e vështirë, fati i vendit përcaktohet atje.”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ShBA-së, Gjeneralarmate Mark Milley morën pjesë në forumin e dytë ndërkombëtar për Ukrainën, i njohur zyrtarisht si Takimi i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës.

Pas takimit të mbajtur online të dy zyrtarët amerikanë organizuan një konferencë shtypi në Pentagon.

Sekretari Austin tha se në këtë takim kishin marrë pjesë edhe Austria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Kolumbia dhe Irlanda.

Duke folur për vendosmërinë e vendeve pjesëmarrëse për të mbështetur Ukrainën, Austin bëri këtë vlerësim për gazetarët: “Në takim u bënë njoftime mjaft të kënaqshme lidhur me ndihmat shtesë për Ukrainën. 20 vende bënë të ditur se do t’i ofrojnë Ukrainës dërgesa të reja armësh për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër sulmit të Rusisë. Shumë vende do të dhurojnë municione artilerie ‘të nevojshmërisë kritike’, sisteme të mbrojtjes bregdetare, tanke dhe automjete të tjera të blinduara”.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin falënderoi Danimarkën, e cila njoftoi se do t’i japë Ukrainës raketa “Harpoon” dhe platformat për lëshimin e këtyre raketave për ta ndihmuar këtë vend të mbrojë bregdetin, si dhe Çekinë, e cila u zotua për ta furnizuar ushtrinë ukrainase me tanke, raketa dhe helikopterë.

Gjithashtu Italia, Greqia, Norvegjia dhe Polonia deklaruan në takim se do t’i ofrojnë Ukrainës sisteme artilerie dhe municione, shtoi sekretari amerikan.

Kategoritë
BotaLajme