Kullat e Jasharajve, që bënë kthesën e madhe historike, edhe pas 23 vjetësh, vazhdojnë të jenë të dëmtuara shumë e të parenovuara asnjëherë, megjithatë vazhdojnë të qëndrojnë si letërnjoftim i luftës për liri.
Vizitorët shprehen të zhgënjyer me mosrenovimin e këtij kompleksi. Por, nga Ministria e Kulturës thonë se tashmë është ngritur juria vlerësuese për t`i shqyrtuar propozimet që kanë ardhur nga tri studio projektuese prestigjioze evropiane për projektin përfundimtar për Kompleksin Memorial `Adem Jashari` prej 450 hektarësh.
Është vendi ku ndryshoi rrjedha e historisë së Republikës.
Si vendi më i vizituar nga të gjitha territoret mbarë shqiptare, Kullat e Jasharajve në Prekaz nga ajo që duket, nuk mund të qëndrojnë edhe gjatë në këmbë.Rreth 15 milion persona nga e gjithë bota që nga paslufta kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ne mesin e tyre edhe ‘Kullat e Rezitencës’ në të cilat u flijua një familje e tërë për ndryshime e historisë së Kosovës. Por, dy dekada pas luftës, Kullat e Jasharajve nuk janë në gjendje më të mirë të mundshme.
Mure të dëmtuara që në vete bartin themele e shtetit të Kosovës rrezikojnë të shemben e historia e lirisë të zhduket.
Ky vend historik në shi e në borë mirëpret vizitorë. Të tillë ishin edhe një grup që kishin ardhur nga Presheva. Madje njëri prej tyre kishte qenë në shtator të 99-ës, dhe që nga ajo kohë më s`kishte ardhur këtu.