Kur serbët kërkojnë falje pas një kënge genocidale

Një video e një zijafeti serb nga policë serbë, Viti i Ri dhe lindja e djalit të një prej tyre, të cilët nën avuj alkooli këndojnë motive lufte deri me subjekt Srebrenicën, ka trazuar sërish vatrat e nxehta të luftrave të lëna pas. Është polici Marko Pantoviç, i cili së bashku me kolegë, ilarizohet me vargjet e një kënge gjenocidale ku thuhet:

“Srebrenicë, ti je shumë i dashur për mua,

Shpresoj që të ndodhë tre herë përsëri,

Oh Fatime, ku janë tymi tymi,

Çetnikët rreth Ledenikut…”

Sipas portalit SanxhakPress, Vidosav Avramoviç, Zëvendës Shefi i Qendrës Rajonale të Policisë Kufitare për Malin e Zi, Marko Zhujiç, oficer në Administratën e Policisë së Pribojit, Milojica Bjeloviç Mime, ish-ndihmës komandant dhe tani menaxher turni në Qendrën Rajonale, Marko Klisura, komandant i pensionuar në repartin policor Sastavci, policët Goran Shalipur, Vlladan Janjusheviç, Dragan Zekoviç dhe disa anëtarë të tjerë të Drejtorisë së Policisë në Priboj, po bëjnë thirrje për një gjenocid i ri kundër boshnjakëve.

Reagime zyrtare nuk ka deri më tani, por njëri prej serbëve aty, ai që mblodhi kolegët, Dragan Zekoviç, kërkoi falje.

“Të dashur bashkëqytetarë, si dikush që u rrit dhe jeton në një mjedis multietnik, që ka shumë miq boshnjakë, dua t’u kërkoj falje të gjithëve që u lënduan nga kënga që u dëgjua atë natë dhe që dërgoi një mesazh shumë të keq.

Posaçërisht më vjen keq që po krijohet një atmosferë e keqe, duke ekzagjeruar dhe duke u përpjekur të përkeqësohet diçka shumë më e keqe, e cila, po e përsëris, nuk duhej dëgjuar në këtë festë dhe askund tjetër.

Më vjen keq veçanërisht që festimi i ditës më të lumtur të jetës sime – lindjes së djalit tim – u kthye në një kontekst negativ për shkak të transmetimit të paqëllimshëm të këngës kontroverse.

I uroj të gjithëve shëndet dhe suksese në Vitin e Ri, veçanërisht miqve të mi boshnjakë, me premtimin se në të ardhmen do të reagoj ndaj vargjeve të këngëve të tilla duke fikur muzikën. Çdo të mirë”.

Pati dhe një reagim shqiptar gjithashtu, nga deputeti i Luginës në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, sipas së cilit, këta janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiçit.

“Këngët e policëve për Srebrenicë të re në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiqit.

‘O Pazar – Vukovari i ri, oj Sjenicë – Srebrenicë e re’. Këto janë vargjet të cilët gjatë festimit të vitit të ri i kënduan disa pjesëtarë të policisë që veprojnë në zonën e Sanxhakut. Ato i publikuan me krenari edhe në rrjetet e tyre sociale.

Sigurisht. Çfarë të pritet nga polici kur Ministri i tij mohon çdo ditë gjenocidin e Srebrenicës, me heshtjen miratuese të Presidentit Vuçiç. Këngët e policëve në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiçit”, ka shkruar Kamberi. /tesheshi.com/

Kategoritë
LajmeRajoni