Kurti “befason” ambasadorët me vendimin për targat: Kërkuan kohë që të konsultohen me qendrat e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar sot për takimin që ka pasur me ambasadorët e QUINT-it. Kurti ka thënë se qëndrimi dhe kërkesa e tyre ka qenë që vendimi për targat të shtyhet për më shumë muaj, megjithatë ka treguar se s’kanë qenë të njoftuar për planin dhe propozimin e Qeverisë së Kosovës i cili edhe u miratua në mbledhjen e sotme.

Kurti ka treguar se ambasadorët në këtë takim kanë thënë se iu nevojitet të konsultohen me qendrat e tyre për të dhënë mendimin për propozimin e Qeverisë së Kosovës, propozim i cili u votua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës menjëherë pasi takimit me ambasadorët e QUINT-it.

“Së bashku me ministrin Sveçla, zv.kryeministrin Bislimi dhe minsitren Gërvalla kemi takuar pesë ambasadorët e QUINT-it dhe me atë rast prezantuam qëndrimin tonë. Qëndrimi i tyre ka qenë qe gjithçka të spostohet me kohë për më shumë muaj. Por ne besojmë që kjo ishte zgjidhja më e mirë. Por nuk e dinin këtë propozim tonin dhe thanë se iu nevojitet të konsultohen me qendrat e tyre për të dhënë mendimin me këtë vendim tonin i cili ishte propozim në mbledhjen e fundit të qeverisë” , ka thënë Kurti.

Ai tutje ka shtuar se tashmë pasi është marrë vendimi, qendrat e ambasadorëve të QUINT-it mund të japin qëndrimin e tyre dhe udhëzimet.“Ata tashmë janë të njoftuar dhe sigurisht që qendrat aleate mund ta thonë qëndrimet e tyre por edhe më mirë udhëziet që mund t’i kenë se si në qëllimin tonë të përbashkët, gjithçka të shkojë siç është më së miri”, ka thënë Kurti .

Kategoritë
LajmeVendi