Kurti: Borrell hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

“Nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i shqyrtojmë çështjet aktuale, por nuk mund të shndërrohemi edhe në liderë shtetërorë që merren vetëm me çështje të targave e nuk diskutojnë për normalizim të marrëdhënieve”, theksoi Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se për Kosovën nuk është e pranueshme që në Bruksel të flitet për vendimin e qeverisë së tij për targat ilegale të automjeteve dhe të mos diskutohet fare për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kurti në fjalën e tij pas takimit me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, tha se BE-ja ka propozuar që Kosova të mos japë gjoba për targat ilegale dhe të vazhdojë me qortime, ndërsa Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës.

Por, krahas kësaj, Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë e propozuar nga BE-ja për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Për neve kjo nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. E në propozimin e sjell nga Lajçak, afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra, po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borrell-i, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Kurti.

Kurti theksoi se kur janë takuar në Paris në kuadër të Forumit për Paqe, Borrell kishte thënë se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

“Në rregull pra, edhe ne ashtu do ta quajmë, propozimi i BE-së. Mirëpo, sot po them me keqardhje, ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Ai shtoi se është i gatshëm të shkojë dhe të zhvillojë takime në Bruksel me strukturën e njëjtë për marrëveshjen finale, por edhe për çështjet të tjera si ajo e targave, “mirëpo, nuk bëjnë njëra pa tjetrën”.

“Nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i shqyrtojmë çështjet aktuale, por nuk mund të shndërrohemi edhe në liderë shtetërorë që merren vetëm me çështje të targave e nuk diskutojnë për normalizim të marrëdhënieve”, theksoi Kurti.

Takimi trepalësh në Bruksel u mbajt me ftesë nga Borrell, një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për ngasësit e automjeteve me targa ilegale që kryesisht qarkullojnë në komunat me shumicë serbe.

Serbët në këto komuna kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e qeverisë për targa.

Madje, zyrtarët serbë për shkak të këtij vendimi dhanë dorëheqje edhe nga institucionet kosovare që nga Qeveria, Kuvendi, katër komunat me shumicë serbe në veri, policia, gjyqësori, prokuroria e administrata.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit veturat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 22 nëntori, deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.

Kategoritë
LajmeVendi