Kurti dhe Rama u takuan sot pa paralajmërim në vilën e ish-Kryeministrit Mehmet Shehut

Urgjentisht, Kryeministri Albin Kurti la Prishtinën, për t’u lajmëruar pak orë më vonë në Tiranë, ku e priste Edi Rama. Takimi i paparalajmëruar u mbajt në Vilën 30, në zonën e Bllokut. Kjo ishte vila ku jetoi dhe u tha se vdiq ish-kryeministri Mehmet Shehu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka pritur sot në takim Kryeministrin Kurti. Kjo nuk ishte një vizitë e paralajmëruar zyrtare, ndërsa takimi u mbajt në vilën qeveritare në qendër të Tiranës, që njihet si vila 30,

Në këtë vilë shtetërore, ka jetuar ish-kryeministri Shehu, deri në vitin 1981, kur regjimi komunist njoftoi se ai ishte vetëvrarë.

Rama mban shpesh takime në këtë vilë, e cila është në dispozicion të Qeverisë.

Kurti la sot para mesditës konferencën për media, pa u përgjigjur gazetarëve, me arsyetimin se e kishte një takim urgjent.

Disa orë më vonë, ai u pa para vilës 30, ku po e priste homologu i tij. Prej mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive, që u mbajtë në Kosovë, ky është takimi i parë i Ramës dhe Kurtit, që dihet publikisht.

Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, takimi që zgjati rreth dy orë, kishte në fokus disa tema. Nuk dihen zyrtarisht arsyet e takimit. A2 CNN citon burime pranë Kryeministrit Rama, të  kenë thënë se se takimi nuk kishte asnjë arsye të jashtëzakonshme.

“S’ka asgjë të veçantë, drekë normale mes dy kryeministrave, si shumë të tjera të kësaj natyre”, thuhet në raportimin e këtij mediumi.

Report Tv shkruan se në takim është folur për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e infrastrukturës , konkretisht për portin e Durrësit dhe për hekurudhën Tiranë-Prishtinë.

Derisa Klan Tv raporton se temë diskutimi ka qenë edhe kriza energjetike.

“Gjithashtu kriza energjetike që duket se më së shumti po prek Kosovën duke qenë se edhe më parë ka pasur nevojë dhe ndihmë nga Shqipëria për të përballuar krizën energjetike”, raporton gazetarja e Klan Tv.

Derisa tema tjetër që mësohet të kenë diskutuar dy liderët e dy qeverive është Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt, e të cilën Rezolutë, Edi Rama do të vendosë edhe në agjendën e Këshillit të Evropës .

Kategoritë
LajmeRajoniVendi