Kryeministri Albin Kurti së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë kanë vënë kurora lulesh tek varri i heroit Afrim Bunjaku.
Pas homazheve, Kurti para media u shpreh se flijimi i Bunjakut ia ka vlejtur për policinë, shtetin dhe gjeneratat e ardhshme.
Ai shtoi se numri i policëve me kadet të rinj po rritet dhe se morali i policisë dhe ushtrisë tonë kurrë s’ka qenë më i lartë.
Kurti theksoi se shokët e Afrim Bunjakut që ishin së bashku me të në betejë në Banjskë, nuk e lanë që trupi i pajetë i tij të bie në duart e forcave armike.
“Duke rënë Afrim Bunjaku, nuk kanë rënë edhe shumë polic të tjerë dhe ata që ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka shtuar se forcat që ishin të financuara e të dirigjuara nga Serbia me paramilitarë që kishin shumë më tepër armatim sesa Afrim Bunjaku me shokë, ikën me turp dhe i lanë të vrarët edhe të palosurit e tyre.
“Ata sot fshihen në Serbi sepse e dinë që e kanë humbur betejën njëherë e përgjithmonë me shtetin dhe popullin tonë. Serbia është përgjegjëse andaj ajo duhet të jap përgjegjësi e në këtë pikë kërkojmë mbështetjen e ndihmën e faktorit ndërkombëtar”, tha Kurti.
E kryeparlamentari Glauk Konjufca, u shpreh se sot jemi këtu për ta nderuar heroin tonë Afrim Bunjaku.
“Ai është hero që ra heroikisht në mbrojte të sovranitetit të Republikës. Ai e dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet, sesi duhet të jepet jeta dhe të vet mohohet individi për të mirën e përgjithshme. Ne do ta kujtojmë gjithmonë ashtu siç e kujtojmë dhe Enver Zymberin që ra për të njëjtin qëllim. Këto janë idealet që i kultivojnë dhe i ushqejnë edhe heronjtë tonë”, tha Konjufca.