Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka 259,532 vota, kur janë procesuar 90.41% e vendvotimeve nga votat e numëruara për kandidatët e partive politike.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka deri tani 150,294 vota. Si kandidat për deputet, ai në zgjedhjet e vitit 2021 kishte marrë 23,976 vota, ndërsa renditej i treti në listën e më të votuarve të partisë.
Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka 109,202 vota. Në zgjedhjet e vitit 2021, kishte marrë 25,267 vota si kandidat për deputet dhe ishte njeriu i tretë më i votuar në parti.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka 85,293 vota. Në zgjedhjet e kaluara, ai kishte marrë 15,912 vota.
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-n Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka marrë deri tani 37,752 vota. Në zgjedhjet paraprake kishte marrë 41,371 vota.
KQZ i publikoi sot të dhënat e rezultateve nga numërimi i votave për partitë politike. Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342,281 vota apo 40.80%. Partia Demokratike e Kosovës ka 184,811 vota apo 22.03%. Lidhja Demokratike e Kosovës 147,888 vota apo 17.63%. Koalicioni AAK, Nisma dhe të tjerët ka marrë 62,588 vota apo 7.46%.
Votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë do të numërohen më pas.