Kurti: Konvertimi i targave deri më 31 tetor, nëse Serbia lëshon dokumente detyrohemi edhe ne

I pari i qeverisë, Albin Kurti, ka komentuar edhe 1 shtatorin, datën ku pritet të hyjë në fuqi reciprociteti për targa.

Ai tha se fushata për konvertimin e targave nga regjimi i Millosheviqit tek ato legale të Kosovës do të vazhdojë deri më 31 tetor, raporton Ekonomia Online.

Tutje, ai tha se në rast se merr informacione nga Policia e Kosovës se pala serbe po vazhdon ende t’i lëshojë dokumentet për hyrje/dalje, atëherë edhe Kosova do të detyrohet që ta zbatojë vendimin e reciprocitetit.

“Nuk ka dokumente përcjellëse, pra vetëm tregohet karta e identitetit dhe do të duhej që qytetari i Kosovës kur kalon nëpër Serbi ta bëjë këtë lirisht pa marrë asnjë dokument tjetër. Njësoj kalon edhe ai i Serbisë, siç ka qenë edhe më herët realisht”.

“Për shkak se u vendos reciprociteti, nuk ka nevojë të japim dokumente. Nëse, teorikisht e rastësisht, Serbia vazhdon të lëshojë dokumente të tilla, atëherë detyrohemi që edhe ne, në bazë të parimit të reciprocitetit, ta vendosim edhe ne dokumentin e hyrje-daljes”.

“Kemi ndarë 2679 dokumente hyrëse-dalëse. Nuk besoj se do të ketë nevojë ta ndajmë dokumentin 2680 me radhë”, është shprehur Kurti.

Ai nuk pranoi që të flas në lidhje me atë nëse ka ndonjë informacion se data 1 shtator në veri të vendit do të përcillet me tensione nga pala serbe si shkak i reciprocitetit.

Kategoritë
LajmeVendi