Kurti në “Ditën e Forcës”: Ka dyfishim të ushtarëve dhe shumëfishim të armatimit e municionit

Kryeministri Albin Kurti ka uruar ushtarët e Kosovës për Ditën e Forcës. Teksa ka lavdëruar edhe progresin e arritur nga Forca e Sigurisë.

Kurti u shpreh se ka dyfishim të numrit të ushtarëve në raport me vitet e shkuara, trefishim të buxhetit e shumëfishim të pajisjeve.

“Gëzuar Dita e Forcës të gjithë oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve, ministrit, komandantit. Ne urojmë qytetarët e Republikës, sepse ushtria është e tyre dhe për ta. Nëse e krahasojmë me vitet paraprake, kemi dyfishim të shtimit të ushtarëve, trefishim të buxhetit, katërfishimit të trajnimeve dhe shumëfishim të pajisjeve nga Turqia, Gjermania, Kroacia. Shumica prej tyre janë nga buxheti i Kosovës e tjerat nga donacionet”, ka thënë ai gjatë vizitës në Kazermën “Adem Jashari”.

Kurti ka njoftuar edhe aty për themelimin e komisionit ndërministror që ka për detyrë negocimin për fabrikën e monicionit dhe laboratorin për dizajnimin e fluturakëve pa pilotë.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha se po shënohen shumë hapa në përmirësimin  e infrastrukturës për FSK-në.

“Sot këtë ditë po e shënojmë edhe me një hap në plotësim e infrastrukturës, atë të fillimit të industrisë ushtarake. Kosova do të ketë fabrikën e parë të municionit dhe laboratorin për dronë”, tha ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi