Kurti në Kroaci: Serbia shtet paramilitar, nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci. Ai ka pasur një takim me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq pas së cilit kanë mbajtur edhe një konferencë për media.

Ai ka folur për sulmin e fundit terrorist në Kosovë. Kreu qeveritar tha se sulmi në Ibër Lepenc është i ri nga natyra, pasi “kësaj radhe në shënjestër ishte popullsia civile”.

“Më herët kemi pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës, kemi pasur sulme ndaj ndërtesave zyrtare komunale por kësaj radhe në shënjestër është popullsia civile sepse furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë elektrike që është jetik edhe për qytetarë dhe bizneset kanë qenë në shënjestër”, tha ai.

Ai tha se për këtë sulmin si të dyshuar se janë arrestuar disa persona dhe se hetimet po vazhdojnë.

Sipas kryeministrit, nervoza në Beograd po përkthehet në agresivitet ndaj Kosovës, meqë kur nuk e kontrollojnë më Kosovën atëherë mbështetin sulme të tilla terroriste.

Tutje kreu qeveritar tha se Serbia nuk është shtet demokratik. Sipas tij për një shekull e gjysmë në Serbi ka pasur vetëm rreth 2 vjet e gjysmë demokraci.

“Serbia nuk është shtet demokratik, atje nuk respektohen të drejtat e njeriut as të drejtat e pakicave. Nuk besojnë tek pluralizmi politik, nuk ka sundim të ligjit e mu për këtë ka protesta të tilla të ashpra studentore. Kam përshtypjen se Serbia është vetëm formalisht republikë, ndërsa është e pamundur që të bëhet mbretëri edhe në kuptimin përmbajtjesor. Tani në këtë hendek janë kthyer në atë që gjithmonë e kemi ditur, një shtet paramilitarë. Tek ne e çojnë Milan Radoiçiqin që të ndërmarrë aksione terroriste, ndërsa në Beograd i rrahin studentët. E dimë nga përvoja historike se si përfundon kjo gjë. Beogradi duket që nuk ka nxjerrë asnjë lloj mësimi nga e kaluara e vetë”, tha kryeministri.

Tutje, Kurti tha se marrëveshja e Brukselit është e modeluar sipas dy Gjermanive të viteve të 70-ta, që i bie njohje e ndërsjellë de fakto.

“Pra kemi marrëveshje dhe ujdi për zbatimin e asaj marrëveshje, por që çdo javë Beogradi ndërmerr shkelje anësore të kësaj dhe nuk i përmbahet asaj marrëveshje. Ne mendojmë që kemi më shumë se dialog sepse kemi marrëveshje. Insistojmë që Brukseli të ushtrojë presion ndaj Beogradit që ata të respektojnë marrëveshjen e sa më parë ta implementojmë atë e në atë mënyrë të arrijmë normalizimin e marrëdhënieve si dy shtete normale. Kosova është shtet normal, kemi rritje ekonomike të shquar nga 6 për qind të bruto produktit vendorë në 4 vitet e fundit. Kemi progres demokratik, pra në marrëdhëniet tona normale duhet të përmbajnë edhe një Serbi normale e këtu Brukseli mund të ndihmojë shumë më shumë se sa që bënë aktualisht”, tha ai.

Edhe kryeministri kroat Plenkoviq k thënë se beson që dialogu Kosovë-Serbi do të përfundojë me njohje.

“Besojmë te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që të rezultojë me normalizimin e marrëdhënieve, dhe gjithsesi të përfundojë më njohjen e ndërsjellë, si dhe funksionimin që do të çonte te pozita, që Kosova të ndërmarr rrugëtimin e vet adekuat drejt Bashkimit Evropian.

Ekzistojnë ende pesë shtete të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, e për këtë, ky proces mund të mos jetë i shpejt ashtu siç duhet”, tha kryeministri kroat.

Tutje Plenkoviq ka thënë se ajo që është e rëndësishme është që raportet mes shteteve që kanë dalë pas shpërbërjes së Ish-Jugosllavisë të rregullohen në mënyrë përmbajtjesore dhe pa konflikte, me respekt të ndërsjellë./Reporteri.net/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi