Kryeministri Albin Kurti ka thënë se forcimi i Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës e detyron Serbinë të mos i përsërisë krimet që i ka bërë në të kaluarën në këto dy shtete.
Kurti të premten vizitoi Bosnjën, ndërsa mbajti fjalim në një mbledhje të organizuar nga shoqata e intelektualëve “Krug 99” në Bashkinë e Sarajevës.
Në pjesën hyrëse të fjalimit, Kurti vuri në dukje se Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili ishte menduar të mbahej në Neum, u anulua, “por nuk mund të anulohej vizita ime në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës”. Ai foli në gjuhën boshnjake dhe e filloi fjalimin duke cituar Alija Izetbegoviqin, presidentin e parë të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, transmeton Klix.
Ai ka thënë se Bosnja do të vazhdojë të ekzistojë si shtet dhe se për këtë vizitë ka shkuar si mik e partner. Në fjalim, Kurti u shpreh se marrëdhënia ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës është e bazuar në vlera
“Sarajeva është më pak se gjashtë orë larg Prishtinës, por për të ardhur, unë dhe delegacioni im duhej të kalonim barrierën e kufizimeve të vizave. Unë sjell përshëndetje nga qytetarët e Kosovës, të cilët e shohin Bosnjën si mik. Ne ndajmë historinë e njëjtë dhe kemi një të ardhme të përbashkët evropiane, prandaj zbatuam në mënyrë të njëanshme marrëveshjen për lirinë e lëvizjes bazuar në letërnjoftime dhe atë që arritëm përmes Procesit të Berlinit”, ka thënë Kurti.
Ai beson se Kosova i ka borxh Bosnjë-Hercegovinës, para së gjithash duke iu referuar periudhës së luftës në të dyja vendet.
“Bosnja dhe Kosova janë të lidhura përmes një të kaluare të dhimbshme dhe tragjike. Në shumë mënyra, Kosova i detyrohet Bosnjës. Në Bosnje, ndërhyrja e NATO-s u bë pas vitit të katërt të luftës, dhe në Kosovë pas vitit të dytë të luftës”, ka thënë ai.
Kurti citoi edhe parathënien e diplomatit amerikan Derek Chollet i cili e kishte përmendur nga libri i ndërmjetësit kryesor amerikan për arritjen e paqes në Bosnje, Richard Holbrooke.
“Të dashur miq, besoj se jeni dakord që në vend që të zemëroheni, regjimi në Beograd duhet të turpërohet. Nuk mund të mos ju kujtoj librin e Holbrookut me atë që e kishte cituar edhe Derek Chollet: ‘Nga distanca e kohës, ka shumë gjëra që mund t’i kishim bërë më mirë gjatë dhe pas Marrëveshjes së Dejtonit. Më vjen keq që pranova futjen e entitetit Republika Srpska. Izetbegoviq kishte të drejtë kur ka thënë se ishte emër nazist’ “, ka deklaruar Kurti.
Siç deklaroi Kurti, Serbia mohon të kaluarën kriminale (krimet në Kosovë e Bosnje) sepse dëshmojnë se do ta bënin sërish nëse do të kishin mundësi”.
“Forcimi i Bosnjës dhe Kosovës e detyrin Serbinë të mos përsërisë krimet”, ka shtuar ai.
Gjatë vizitës në Bosnje, Kurti pati një sërë takimesh në Sarajevë. Ardhja e tij u dënua nga politikanët e Republikës Srpska.