Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëdhënia mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës (BeH) bazohet në njerëzit dhe vlerat që ata ndajnë dhe tha se dy vendet ndajnë një histori dhe kanë një të ardhme të përbashkët evropiane, raporton Anadolu.
Në kuadër të një vizite disaditore në Sarajevë, Kurti mori pjesë sonte në një seancë të zgjeruar të shoqatës së intelektualëve të pavarur Krug 99 (Rrethi 99) në Bashkinë e qytetit, të moderuar nga kryetari i shoqatës, Adil Kulenoviq.
Duke theksuar se qëllimi ishte të diskutojnë situatën dhe marrëdhëniet në rajon dhe perspektivat për paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të botës, Kulenoviq në njoftimin e seancës tha se si Krug 99, ata qëndrojnë për afirmimin e idesë së krijimit të një “boshti jugor të paqes” në Ballkan nga shtetet joekspansioniste, duke lidhur si shtetet, shoqëritë, komunitetin akademik dhe organizatat joqeveritare.
– “Sarajeva më shumë se një qytet”
Duke falënderuar për pritjen e ngrohtë në Bashki, Kurti tha se Sarajeva është një qytet që mbart peshën e historisë dhe premtimin e së ardhmes në çdo gur dhe rrugë.
“Për mua, Sarajeva është më shumë se një qytet. Është simbol i qëndrueshmërisë, diversitetit, qytet i intelektualëve dhe artistëve, kulturës dhe trashëgimisë. Në Sarajevë çdo cep pëshpërit historinë e krijimtarisë, luftës dhe triumfit”, tha Kurti.
Duke kujtuar se samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor është dashur të mbahet ditët e fundit në Neum, por se takimi është anuluar, Kurti tha se nuk ka mundur të anulojë vizitën e planifikuar në Sarajevë.
Ai fitoi simpatinë e të pranishmëve duke kërkuar falje për gabimet në fjalimin e tij në gjuhën boshnjake dhe me anekdotën se gjuhën serbo-kroate e mësoi në shkollën fillore nga një mësues malazez.
Ai e filloi fjalimin e tij me një citim të Alija Izetbegoviqit, për të cilin tha se ishte një politikan i madh, shkrimtar, filozof, i burgosur politik dhe presidenti i parë i BeH-së së pavarur. Bëhet fjalë për një citat në të cilin Izetbegoviq, në vitin 1992, tre muaj pas fillimit të luftës në BeH, në Helsinki tha se Bosnja nuk u krijua pas shpërbërjes së Jugosllavisë, por se ajo ekzistonte gjashtë shekuj më parë.
“Unë po vij në Sarajevë edhe si mik edhe si partner. Marrëdhënia jonë bazohet në njerëzit dhe vlerat që ndajmë, demokracinë, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe një përkushtim të palëkundur për dinjitetin e çdo individi”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova dhe BeH ndajnë një histori të përbashkët dhe kanë një të ardhme të përbashkët evropiane.
– Kosova i ka borxh Bosnjës
Kurti tha se Kosova i ka borxh Bosnjës në shumë mënyra dhe shtoi se kjo reflektohet në faktin se bota, duke ndjekur krimet e tmerrshme dhe mësimet e nxjerra në BeH, ndërhyri më herët dhe ndaloi gjenocidin në Kosovë.
“NATO ka intervenuar në BeH pas Srebrenicës, pra në vitin e katërt të luftës, ndërsa në Kosovë ka ndërhyrë në vitin e dytë të luftës, edhe kjo për shkak të Srebrenicës”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës po ashtu tha se zyrtarët më të lartë serbë mohojnë gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet në Raçak.
“Serbia mohon gjenocidin në Kosovë, mohon gjenocidin në BeH, mohon të kaluarën e tyre kriminale dhe me këtë dëshmojnë se do ta përsërisnin nëse do të kishin mundësi. Prandaj është e rëndësishme t’u tregojmë se kjo nuk është e mundur”, tha Kurti.
Kurti theksoi se e ardhmja e BeH-së nuk varet nga vendimet që maten me balancën e entiteteve, por nga ajo që është e mirë për banorët dhe se kjo varet nga liderët që ndërtojnë, e jo nga liderët që shkatërrojnë.
“Sot, më shumë se kurrë, rruga evropiane është e rëndësishme. Kjo është arsyeja pse ne mund t’i përkushtohemi rritjes ekonomike dhe zhvillimit social. Ata që duan të ecin në rrugën evropiane, le të na bashkohen, ndërsa ata që nuk duan, le të zhduken. Evropa është kontinenti ynë dhe ne duam që këtu të marrim dhe të japim kontributin tonë”, tha Kurti.
Duke theksuar domosdoshmërinë e promovimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit, Kurti tha se krimi i organizuar dhe njerëzit jashtë ligjit në politikë paraqesin problem për rajonin dhe nxisin tensione.
– Pavarësia u shpërblye edhe në aspektin ekonomik
Kurti ka përmendur të gjithë progresin ekonomik dhe social, rezultatet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka arritur Kosova në tri vitet e fundit të qeverisjes së tij dhe shtoi se rritja mesatare ekonomike ishte 6,36 për qind.
“Sa më pak pabarazi të ketë në shoqëri, aq më i madh është kohezioni dhe aq më e madhe është kërkesa agregate. Pra, nëse pabarazia në shoqëri bie, koheziviteti rritet dhe kjo është mirë për ekonominë, sepse rritet kërkesa”, tha Kurti, duke shtuar se çlirimi dhe pavarësia i dhanë rezultat Kosovës edhe në planin ekonomik.
Duke folur për investimet e planifikuara në forcimin e të gjithë sektorëve në Kosovë, përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, Kurti tha se kjo është e nevojshme sepse ende ka liderë në rajon që përpiqen për ndarje dhe zgjerim territorial. Ai shtoi se problemi kryesor i sigurisë është mentaliteti ekspansionist dhe hegjemonist i Serbisë.
Ai u shpreh optimist se sot ka më pak masë nacionaliste si “lëndë djegëse” për konflikte dhe përmendi shembullin se 30 vjet më parë, një kamion me pushkë do të ishte shpërndarë në shumë fshatra të Kosovës për gjysmë ore, ndërsa sot njerëzit në ato vende thërrasin policinë dhe raportojnë ngjarje të tilla.
“Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm, sepse agresioni rus kundër Ukrainës përfaqëson një shkelje të rëndë të sovranitetit të një shteti të pavarur dhe është një akt që na kujton momentet më të errëta të historisë evropiane. Kjo përpjekje e pamëshirshme për të shkatërruar identitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës është reflektuar edhe në politikat separatiste në Ballkan. Siç është invazioni rus një kërcënim për paqen në Evropë, kështu edhe aspiratat secesioniste paraqesin një sfidë serioze të sigurisë këtu”, tha Kurti.
Kurti u bëri thirrje të gjithëve që të dënojnë separatizmin, urrejtjen dhe ndarjen, duke theksuar se fenomene të tilla sjellin vetëm konflikte të reja dhe trazira.
“Sot siguria e Kosovës varet nga siguria e kufijve të saj. Projekti i ‘Serbisë së Madhe’, që sot quhet ‘Bota Serbe’, nuk ka kufij dhe nuk mund t’i ketë. Prandaj duhet t’i mbrojmë kufijtë tanë. Serbia deklaron se BeH mund të jetë një shtet i përkohshëm dhe mund të shpërbëhet, por më besoni se po e thonë nga frika se do të shpërbëhen vetë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Serbia ka frikë se asaj i ka ardhur radha të shpërbëhet”, tha Kurti, duke shtuar se Republika Sërpska shpesh përmendet në Serbi, në mënyrë që të mos përmendet Vojvodina.
Duke kujtuar se Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në 14 muajt e fundit, i pari në të cilin u vra një polic në Banjskë dhe i dyti në një objektiv civil të kanalit Ibër-Lepenc, Kurti tha se qëllimi i këtyre sulmeve është rikthimi i nacionalizmit mes njerëzve të zakonshëm.
Duke folur rreth sulmit të vitit të kaluar në Banjskë, ai tha se në momentet e para, kjo i kujtoi pushkatimin e një prifti në një dasmë dhe fillimin e luftës në Sarajevë për shkak të afërsisë së një manastiri ortodoks të shekullit të 14-të dhe se ai beson se qëllimi ishte t’i jepte konfliktit aromën e një konflikti fetar. Ai ka shtuar se policia e Kosovës nuk e ka lejuar këtë dhe se me një aksion profesional dhe të guximshëm ka neutralizuar terroristët që kanë lënë pas të plagosurit dhe të vdekurit kur kanë ikur, duke treguar kështu se janë mercenarë.
“Tani po kryejnë sulme terroriste nga dobësia. Terrorizmi është krim, por të mos harrojmë se është edhe pafuqi. Terroristët janë të pafuqishëm dhe prandaj terrorizojnë. Serbët në Kosovë tani janë më të lirë se më parë dhe tani kemi një proces real integrues. Tani mund të them se Sllobodan Millosheviqi u rrit me ‘mitin e Kosovës’, ndërsa katër dekada më vonë, Aleksandar Vuçiq po bie me realitetin kosovar”, tha Kurti.
– Negociata për statusin e Serbisë, jo të Kosovës.
Duke iu referuar procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, Kurti tha se aty po negociohet statusi i Serbisë në shekullin 21.
“Në Bruksel nuk po flasim më për statusin e Kosovës. Kjo ka mbaruar. Kosova është një republikë demokratike, një shtet i pavarur. Ne atje po diskutojmë statusin e Serbisë. Jam i nderuar që jam i ftuar të jap kontributin tim për atë”, tha Kurti.
Duke folur për të drejtat e garantuara me Kushtetutë të të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë, përfshirë këtu edhe serbët, Kurti tha se gjuha serbe është gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet e Kosovës dhe se pasaporta e tij diplomatike ka edhe mbishkrimin cirilik.
“Nuk ka popuj të përzgjedhur. Të gjithë jemi shumicë në një vend dhe pakicë në vendet e tjera. Refuzimi i kësaj do të thotë kthim në rrugën e së kaluarës dhe konflikteve. Serbët që u integruan në Kosovë janë të lirë”, tha Kurti.
Ai fitoi duartrokitjet e të pranishmëve duke ndërprerë fjalën e tij pasi dëgjoi ezanin.
Në vazhdim të fjalës së tij ai tha se para 23 vitesh ka dalë nga burgu në Serbi, por se Serbia ende “nuk ka dalë nga ajo kohë”. Ai shtoi se Serbia nuk e respekton kapitullimin që gjeneralët e saj e nënshkruan në vitin 1999, me të cilin ushtria dhe policia serbe u larguan nga Kosova.
– “T’i drejtohemi Evropës sa më shpejt të jetë e mundur”
“Ata nuk e njohin kapitullimin e Millosheviqit dhe përpiqen të paraqiten si Millosheviqë më të mëdhenj se vetë Millosheviqi. Unë e shoh këtë fenomen kudo. E shoh se si zonja Cvijanoviq dhe Dodik duan të paraqiten se janë serbë më të mëdhenj se Vuçiq dhe se janë rusë më të mëdhenj se Putini, ndërsa Vuçiq dëshiron të jetë Millosheviq më i madh se Millosheviqi”, tha Kurti.
Duke e akuzuar Serbinë se është një zgjatim i interesave ruse në Ballkan, Kurti theksoi se kjo është arsyeja pse rruga evropiane e rajonit është e një rëndësie jetike.
“Detyra jonë është t’i drejtohemi Evropës sa më shpejt të jetë e mundur dhe sa më plotësisht të jetë e mundur, në aspektin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Paqja e qëndrueshme evropiane në Ballkan do të jetë e mundur kur rruga Ilija Garashani në Beograd të riemërtohet në rruga Latinka Peroviq”, tha Kurti.
Në fund, ai tha se boshnjakët përfaqësojnë një faktor stabiliteti në të gjitha vendet ku jetojnë, dhe bëri thirrje për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes boshnjakëve dhe shqiptarëve, pasi siç u shpreh ai, së bashku mund të bëjnë më mirë dhe më shumë.