Kurti nga Ohri: Jam i interesuar për marrëveshje, Serbia ka kapituluar një herë në Kumanovë

Disa orë para takimit të planifikuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Ohër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur besimplotë se do të arrihet një marrëveshje.

Ai ka thënë se Serbia nuk do të kapitullojë në Ohër, pasi që një kapitullim i saj ka ndodhur tashmë në Kumanovë në vitin 1999.

“Jam i interesuar për një marrëveshje, po shkoj me vullnet të mirë, me qëllime të mira dhe besimin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. S’mund të ketë kapitullim të Serbisë në Ohër, pasi që kjo ka ndodhur tashmë në Kumanovë më 9 korrik, 1999”, ka thënë Kryeministri Kurti për televizionin Alsat, transmeton Gazeta Express.

Kurti, gjithashtu, i ka komentuar edhe deklaratat pesimiste të presidentit serb, Vuçiq.

“Dëgjova deklaratat se çdo marrëveshje në Ohër është e refuzuar apriori. Nuk mendoj se kjo është një qasje konstruktive. Unë nuk them që nëse nuk ka nënshkrim, atëherë kemi nënshkruar një mosmarrëveshje, por nuk mund të them që edhe pa nënshkrim mund të quhet marrëveshje e njëmendtë. E përsëris se do të jem i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe se do të shkoj me vullnet, qëllim dhe besim të mirë, por sigurisht që nuk mund t’ia garantoj marrëveshjen palës tjetër”, theksoi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Në takimin Kurti-Vuçiq, të cilin e thirri kreu i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Joseph Borrell, do të marrë pjesë edhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kategoritë
LajmeVendi