Kurti nga zyrat e Postës në Leposaviq: Nashta me ua çu ka një letër partive opozitare “votone Albulenën”

Deputetët do të mblidhen nesër, në tentativën e tetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Konstituimi ka mbetur në gjysmë, meqë pas betimit të deputetëve, ka dështuar zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. VV ka propozuar Albulena Haxhiun, e cila nuk po arrin të marrë votat e nevojshme, meqë PDK, LDK dhe AAK po kundërshtojnë zgjedhjen e saj.

Një ditë para vazhdimit të seancës, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dhënë sinjale se edhe nesër propozimi i tyre s’do të ndryshojë.

Në hapjen e zyrave të reja të Postës së Kosovës në Leposaviq, Kurti duke qeshur ka thënë se ndoshta do t’u dërgojë partive nga një letër me kërkesën që ta votojnë Haxhiun, shkruan Reporteri.net.

“Nashta me ua çu ka një letër edhe partive opozitare “votone Albulenën”, ka thënë Kurti duke qeshur.

Seanca nesër do të vazhdojë në orën 10:00. Nuk dihet nëse VV i ka siguruar numrat për Haxhiut. Në të gjitha votimet e deritashme, ajo ka marrë vetëm 57 vota nga 61 sa nevojiten.

Partitë qe disa herë i kanë kërkuar VV’së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë. VV po instiston në emrin e Haxhiut.

Kategoritë
LajmeVendi