Kurti nuk kthehet në Kuvend, opozita s’e do Bislimin, shtyhet seanca për dialogun

Seanca e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të diskutuar rreth dialogut me Serbinë, është shtyrë për një ditë tjetër.

Pasi kryeministri Albin Kurti e lëshoi seancën, opozita kërkoi pauzë derisa ai të kthehet. Pas më shumë se një ore pauzë, kryeministri nuk u kthye dhe opozita vendosi që seanca të mos vazhdojë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi

“Të nderuar deputetë, me kërkesë të opozitës, meqenëse nuk e kemi kryeministrin të pranishëm, kërkohet që të shtyhet kjo seancë. Për datën do të vendos kryesia”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri partisë që e thirri këtë seancë, tha se ajo nuk ka kuptim pa prezencën e shefit të Qeverisë.

“Sepse i bie realisht që të flasim vetmevete”, tha ai.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se “nuk ka kuptim të mbahet debati”.

“Nëse kryeministri ka ndonjë arsye pse s’është, duhet të tregojë. Nëse nuk po ndihet mirë, po presim derisa t’i kalojë dhe pastaj vazhdojmë”, tha ai.

Të njëjtin mendim e pati edhe AAK-ja. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri tha se “seanca s’ka kuptim”.

Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se kryeministri ndodhet në një takim.

“Sipas informatës nga zyra e kryeministrit, ai është aktualisht në një takim, por prezencën e tij e ka ofruar zëvendëskryeministri i cili është përgjegjës për dialogun”, tha ajo.

Kategoritë
LajmeVendi