Kurti: Pajtim në parim, pastaj thellim në tekstin për Asociacionin e Komunave

Në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se pala kosovare nuk mund të shkruajë tekste alternative para se të ketë pajtueshmëri në parim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pa pasur pajtim në parim, përfshirë edhe kërkesat e specifikuara të Qeverisë së Kosovës, nuk mund të thellohet në tekstin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, raporton Anadolu.

Në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se pala kosovare nuk mund të shkruajë tekste alternative nëpërmjet të cilave do të gjendej një mesatare për atë se çfarë duhet të përmbajë Asociacioni.

“Unë këtë mund ta thellojë (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtylla që ju i përmendët që unë i kam thënë në Ohër më 18 mars, kur të pajtohemi në parim, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, ka thënë Kurti në një kundërpërgjigje të një deputeteje nga opozita.

Kurti tutje tha se Qeveria e udhëhequr nga ai nuk është pajtuar me draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të shpalosur nga Ekipi Menaxhues në Bruksel i cili u kundërshtua në mënyrë kategorike nga kryeministri Kurti dhe pas një dite u shkarkua edhe Ekipi Menaxhues i themeluar nga qeveritë e mëhershme kosovare.

Kurti tha se arsyeja e refuzimit ishte për shkak se “drafti imitonte republikën serbe të Bosnjë dhe Hercegovinës” derisa shtoi se vizioni i tij për Asociacionin është i bazuar në modelin kroat për pakicat kombëtare.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, nëpërmjet rrjeteve sociale tha se për Serbinë kërkesa për një Asociacion nuk është për qëllimin e integrimit të serbëve lokalë në Kosovë, por, “synimi është të vendoset një Kalë i Trojës i Beogradit për ta bërë shtetin jofunksional, duke përgatitur mënyrën për ndarje”.

Bislimi për këtë foli edhe për një “non-paper” të draftuar nga Akademia e Shkencave të Serbisë nga Vasilije Krestiq, anëtar i akademisë i cili sipas tij “ofron dëshminë më të fuqishme deri më tash për qëllimet e vërteta të Serbisë prapa insistimit për Asociacionin në Kosovë”.

Duke cituar disa pika të “non-paperit” në fjalë, Bislimi ka shkruar se “Dizajni fillestar i Asociacionit nuk është relevant, pasi kompetencat do të evolojnë dhe do të eksploatohen për shkak të përkrahjes financiare të Beogradit dhe një mungese relative të mbikëqyrjes nga Qeveria e Kosovës. Këto kompetenca do të çojnë te një Republika Sërpska e re me synim për ndarje territoriale mes territoreve shqiptare e serbe”.

Gjatë ditës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët, duke shtuar se drafti është i punuar nga “ajka e mendimit juridik botëror” dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

Në shkurt të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte theksuar se përpos që Asociacioni i komunave me shumicë serbe “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, janë edhe pesë kushte të tjera.

Sipas kryeministrit Kurti, Asociacioni nuk mund të jetë një-etnik dhe nuk duhet të bartë asnjë pushtet publik, si dhe duhet të ketë reciprocitet të të drejtave ku “çfarëdo të drejta për serbët në Kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi”.

Përpos kësaj, kryeministri kosovar kërkon që strukturat ilegale të Serbisë të shuhen dhe armët ilegale të dorëzohen, ndërsa sipas kërkesave, duhet të ketë edhe njohje reciproke.

Kategoritë
LajmeVendi