Kurti pas zgjedhjeve në veri: Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit, andaj dalja ishte e ulët

“Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, theksoi Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, dhe ato për kuvendet komunale në dy komuna, i ka vlerësuar të qeta dhe pa incidente, transmeton Anadolu.

Kurti në një reagim në rrjetet sociale ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen.

“Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit, andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, theksoi Kurti.

Ai tutje uroi kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje në katër komunat veriore, derisa tha se ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim.

“Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, shtoi Kurti.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore Lëvizja Vetëvendosje fitoi në dy komuna, në Mitrovicën e Veriut me kandidatin Erden Atiq dhe në Leposaviq me Lulzim Hetemin. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës fitoi dy komunat tjera, atë të Zubin Potokut me kandidatin Izmir Zeqiri dhe atë të Zveçanit me Ilir Pecin.

Vetëm 3,47 për qind e 45 mijë e 95 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Kategoritë
Lajme