Kurti: Për çfarë kompromisi po flet Von Cramon? Unë nuk e bëj atë gabim

Kryeministri Albin Kurti tha se njohja reciproke dhe jo kompromisi është në qendër të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur për deklaratat e raportueses për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, e cila tha se s’ka marrëveshje finale pa kompromis, Kurti tha se ajo duhet pyetur se për çfarë kompromisi e ka fjalën, raporton Gazeta Express.

“Shikoni, unë në rastin më të mirë mund t’ju përgjigjem pyetjeve që m’i bëni mua, por pyetjeve që ia bëni zonjës Cramon, besoj do të duhej t’u përgjigjej ajo. Ajo ka folë për kompromis, do të duhej të tregojë se për çfarë kompromisi e ka pasë fjalën. Pse do të duhej unë të përgjigjem për këtë gjë? Nuk e dinë krerët e shtetit këtë gjë”, tha Kurti para gazetarëve, pas mbledhjes së Qeverisë.

Kryeministri theksoi njohjen reciproke, ndërsa kompromisin e konsideroi pjesë periferike të dialogut.

“Njohje reciproke. Jo vetëm njohje, njohje reciproke. Mutual recognition, se nuk është që veç Serbia s’na njeh neve, as ne s’e njohim Serbinë. Bile ne mund ta njohim veç një Serbi që na njeh. Nuk mund ta njohim ne një Serbi që s’na njeh. Një Serbi që na njeh, e njohim edhe ne. A e kuptoni njohjen reciproke? Ky është thelbi i gjësë. Tash, kush flet për kompromis, barrën e provës për ta sqaruar atë duhet ta kenë ata”, tha ai.

Kreu i Qeverisë tha se ai nuk do të bëjë gabim, që siç tha, ta vendos “periferinë në qendër”.

“Unë nuk them që në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë asgjë tjetër përveç njohjes reciproke, por njohja reciproke është në qendër, jo kompromisi. Por nuk do të jetë kompromisi në qendër, pa u pranuar qendra, për çfarë kompromisi po flasim. Pse ne e pranojmë aq kollaj debatin për periferinë pa u etabluar qendra? Nëse e pranon debatin për periferinë pa u etabluar qendra, ti e ke vendos periferinë në qendër. Ky është gabim që unë nuk e bëj”, tha ai.

Kategoritë
LajmeVendi