Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se para ndërkombëtarëve është shprehur i gatshëm për të shkruar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por se për këtë tashmë është refuzuar.
Ai gjithashtu tha se meqenëse Kosova ka një asosacion të komunave dhe nëse kërkohet një asosacion tjetër duhet të vijë nga komunat sepse në momentin që kryeministrat formojnë asociacione të komunave atëhere kjo i bie të jetë imponim.
“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë e kështu me radhë. Ne tanimë e kemi një asociacion të komunave. Nëse dikush e dëshiron edhe një asociacion tjetër atëherë kjo duhet të vijë nga komunat. Nuk formon kryeministri e as nuk i themelon ato. Është në kuptimin e nocionit asociacion liria e asociimit, jo imponimi i asociimit. Nëse kryeministri do të themelonte një asociacion të komunave ky do të ishte imponim Ky do të ishte një imponim ndaj komunave, asociimi është liri, është e drejtë. Këtë se bëj dot unë aq më pak ndonjë shtet fqinj që mund të ketë pretendime të tilla”, ka thënë Kurti në konferencën e sotme.
“Marrëveshja Bazike është para se gjithash dhe mbi të gjitha. Unë kam kërkuar që atë ta nënshkruajmë sepse është paketa ku gjithçka mund të vendoset e jo të nxjerrësh diçka nga paketa e ta shkatërrosh paketën. Atë s’e lejoj”.