Kurti për marrëveshjen me Serbinë: Na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime

Senatorët Murphy dhe Peters në fjalën e tyre thanë se “nuk kemi mik më të madh në Ballkan se sa Kosova”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kosovës, si dhe çështjet aktuale në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimorë, raporton Anadolu.

Pas takimit me senatorët, Kurti tha se bashkëpunimi dhe partneriteti në fushën e mbrojtjes dhe te sigurisë energjetike krahas sanksioneve të përbashkëta kundër Rusisë është përgjigja më e mirë ndaj realitetit të ri.

Kurti njoftoi se krahas marrëdhënieve dypalëshe, me senatorët ka diskutuar edhe mbi zhvillimet e fundit në vend, qeverisjen më shumë se dy vjeçare, arritjet, progresin dhe synimet përpara.

“Bashkëbiseduam edhe për raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me theks tek marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit. Ato përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë dhe mundësi për normalizim të plotë të tyre. Prandaj na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime”, theksoi Kurti.

Senatorët Murphy dhe Peters në fjalën e tyre thanë se “nuk kemi mik më të madh në Ballkan se sa Kosova”, si dhe theksuan se Kosova ka ndihmuar edhe në strehimin e disa personave nga Afganistani ndërsa po ashtu është bashkë me SHBA-në edhe për sa i përket Ukrainës.

Murphy tha se me kryeministrin Kurti kanë folur edhe për dialogun dhe marrëveshjen e arritur me Serbinë dhe theksoi se janë të vetëdijshëm se të dyja palët kanë të bëjnë me zgjidhje të vështira.

“Serbia duhet të ndalojë së penguari anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe mendojmë se është e kuptueshme që të lejohet që komunat me shumicë serbe të kenë mundësi të bashkërendisin shërbimet që ofrojnë, por koha ka shumë rëndësi. Ky është viti kur duhet ta përfundojmë këtë çështje dhe të mundësohet lëvizja drejt normalizimit që do të çojë në njohje reciproke”, tha Murphy.

Senatorët Murphy dhe Peters u pritën gjatë ditës edhe nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa përpos në Kosovë ata do të vazhdojnë vizitat edhe në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.

Kategoritë
LajmeVendi