Kurti: Periudha 3 mujore e konvertimit të patentë-shoferëve kaloi pa asnjë incident

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qytetarët nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e patentë shoferëve.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook tha se që nga 9 maji e deri më 9 gusht u konvertuar 6509 patentë shoferë, nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

“Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok.

Afati për regjistrimin e tyre, nisi më 9 maj, dhe ishte i paraparë deri më 9 gusht. Për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve, e kemi shtyrë të njëjtin për 2 javë, deri ditën e djeshme më 23 gusht”, tha ai.

Kurti thekson se kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë.

“I falënderoj të gjithë qytetarët tanë të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë process”, tha Kurti

Kategoritë
LajmeVendi