Kurti: Po e mbajmë premtimin, po i rrisim pagat në sektorin publik në vitin 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria e udhëhequr prej tij do të mbajë premtimin për rritjen e pagave në sektorin publik në vitin 2024. Ai tha se koeficienti i pagave për sektorin publik nga viti 2024 do të jetë 110 euro.

“Një ekonomi më e fortë e me më shumë vende pune na mundëson rritje të buxhetit, ky buxhet do të shkojë në rritje të mbështetjes së sektorëve prioritar edhe në zbatim të programit qeverisës. Për vitin 2024, buxheti i Kosovës do të jetë 3.3 miliardë euro. Për sektorin publik kemi thënë qysh në fillim të këtij viti se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro dhe këtë po e realizojmë, pra po i rrisim pagat në sektorin publik ashtu siç kemi thënë, të gjitha llogaritë e buxhetit te pagat janë duke marrë parasysh rritjen e koeficientit”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu ka bërë të ditur ndarjen e mjeteve buxhetore për sektorë të ndryshëm brenda qeverisë, ku ka filluar me Ministrinë e Punëve të Brendshme që do t’i ketë 216 milionë euro buxhet.

Ministria e Mbrojtjes në vitin 2024 do të ketë buxhetin prej 153 milionë euro sipas projekt-buxhetit të prezantuar dhe miratuar sot në qeveri.

Për arsimin, kryeministri Kurti bëri të ditur se janë planifikuar të ndahen 370 milionë euro për krijimin e kushteve më të mira për fëmijët, nxënësit e studentët.

Sa i përket sektorit të shëndetësisë, Kurti tha se buxheti i SHSKUK-së është shtuar për 25 përqind, ndërsa janë ndarë 340 milionë euro për shëndetësi, përfshirë grantin për komunat.

Për ministrinë e Drejtësisë, Kurti ka bërë të ditur se qeveria ka ndarë 31 përqind më shumë buxhet sesa në vitin paraprak, kjo me synimin që të realizohen reformat e nisura.

Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 dhe Kurti ka bërë të ditur se në vitin 2024 MKRS do t’i ketë 58 milionë euro në dispozicion për investime kapitale.

Buxheti i tërësishëm për investime kapitale në Kosovë do të jetë në shumën e 860 milionë euro.

Buxheti i komunave për vitin 2024 do të jetë 744 milionë euro, nga kjo shumë 635 milionë janë grant nga Qeveria dhe 107 milionë euro janë të hyra vetanake të komunave.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi