Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur të enjten në takim Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen, i sapo emëruar në këtë pozitë.
Siç thuhet në komunikatën e ZKM-së Ky ishte takimi i parë njoftues ndërmjet Kurtit dhe Përfaqësuesit Special, Eirik Nestås Mathisen.
Po ashtu në takim ishte edhe Haakon Blankenborg, që ka mbajtur këtë pozitë deri tash, duke e zhvilluar Kurti me të takimin lamtumirës.
“Duke shprehur kënaqësinë për takimin me të dy përfaqësuesit, kryeministri vlerësoi marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Norvegjisë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë në zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Gjatë takimit është folur edhe për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, për çështjet rajonale.
“Gjatë takimit, u diskutua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, për çështjet rajonale dhe temat me interes të përbashkët. Kryeministri theksoi se Marrëveshja Tregtare mes Republikës së Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, ku përfshihet Norvegjia, paraqet mundësi të reja për thellimin e marrëdhënieve tregtare dhe raporteve bilaterale. Kryeministri i ofroi bashkëpunim të ngushtë emisarit të ri, Mathisen, dhe e falënderoi emisarin Blankenborg për angazhimin dhe kontributin e tij të deritanishëm, duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme”, thuhet në komunikatë.