“James Cleverly shprehu dashamirësinë dhe admirimin britanik për Kosovën, duke çmuar lart të arriturat e shtetit të Kosovës dhe qëndrimin që Kosova po mban nga fillimi ndaj agresionit rus në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar është pritur nga Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti fillimisht i ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, derisa e uroi sekretarin Cleverly për detyrën e re, duke i uruar suksese në përgjegjësitë e reja.
Kurti e falënderoi Cleverly-n për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe e ftoi për bashkëpunim edhe më të thellë ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomi.
“James Cleverly shprehu dashamirësinë dhe admirimin britanik për Kosovën, duke çmuar lart të arriturat e shtetit të Kosovës dhe qëndrimin që Kosova po mban nga fillimi ndaj agresionit rus në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ndërkaq, në rrjetet sociale Cleverly ka shkruar se në takim me kryeministrin Kurti kanë diskutuar edhe për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe “nevojën për guxim dhe kompromis midis palëve, në mënyrë që të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve”.