Kurti priti Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së

Kryeministri tha se në dhjetor të vitit të kaluar Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE, kurse këtë vit ka marrë vendimin për liberalizimin e vizave dhe kalimin e fazës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, dhe zëvendësministrin e Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka takuar Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), Gert Jan Koopman, që po shoqërohej nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi Koopmanin për vizitën dhe për ndihmën e madhe të BE-së për shtetin dhe qytetarët e Kosovës në këto 15 vite të fundit, ku theksoi se “për Kosovën anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë”.

Kurti theksoi rëndësinë që ka Tregu i Përbashkët Rajonal për integrimin ekonomik të rajonit dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të tri marrëveshjeve që janë nënshkruar në Procesin e Berlinit, ku me këtë rast, u nënvizua fakti që Kosova ishte e para që ratifikoi në parlament të tri marrëveshjet.

Kryeministri tha se në dhjetor të vitit të kaluar Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE, kurse këtë vit ka marrë vendimin për liberalizimin e vizave dhe kalimin e fazës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, “e që janë dëshmi e qartë e përkushtimit të Kosovës për integrim e progres”.

Ndërkaq, Koopman tha se Kosova është pjesë e familjes evropiane, duke përgëzuar vendin për reformat dhe duke theksuar nevojën e përshpejtimit të tyre dhe nevojën për të ndjekur integrimin ekonomik të rajonit dhe integrimin në tregun ekonomik të Bashkimit Evropian.

Në qershor të vitit 2021, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, kryeministri Kurti kishte prezantuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, të bazuar në EFTA-EEA, gjë që do të zgjidhte pengesat për të ecur shpejt në integrimin ekonomik të rajonit, do të mundësonte integrimin me Tregun Unik të BE-së dhe përshpejtonte anëtarësimin e gjithë rajonit në BE.

Kategoritë
LajmeVendi