Kurti priti në takim emisarin Lajçak dhe këshilltarët e kancelarit Scholz dhe presidentit Macron

Kryeministri i Kosovës, Kurti tha se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në takim është theksuar se Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Ai falënderoi emisarin Lajçak si dhe këshilltarët Plötner dhe Bonne për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Takimi vjen pas propozimit në letrën e përbashkët të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, drejtuar kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Lajçakun në Kosovë dhe Serbi në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi i dialogut të lëvizë përpara shpejt.

Nëpërmjet një letre dërguar kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, kancelari Scholz dhe presidenti Macron gjithashtu u kanë bënë thirrje palëve që të “tregojnë gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira”.

Kategoritë
LajmeVendi